E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogët,pagat e reja sipas pozicionit të punës e gradave

 

Zirina Llambro

Më të paguar dhe të vlerësuar sipas pozicionit që mbajnë. Vitin e ardhshëm akademik stafi i universiteteve do të trajtohet ndryshe. Gazeta zbardh të plotë vendimin e fundit të qeverisë. Në të është përcaktuar niveli i pagave për të gjitha kategoritë e punonjësve të institucioneve të Arsimit të Lartë publik. Pagat variojnë nga 61000 lekë, deri në 125000 lekë. Shtesa për vjetërsinë e punës është parashikuar të jetë 0.5% për çdo vit, por jo më shumë se për 15 vjet. Përpos kësaj është vendosur se sa do të marrin ekstra të gjithë pedagogët. Për orët mbi normën mësimore të miratuar nga aktet përkatëse, ata do të paguhen sipas gradave. Kështu profesorët do të përfitojnë 1200 lekë për çdo orë 60-minutëshe. Personeli që mban gradën “Profesor i asociuar” do të marrë 1100 lekë ndërsa për “Docentët” do të jepen 1000 lekë. Më pak do të përfitojnë “Lektorët”, të cilët për çdo orë shtesë do paguhen 600 lekë kurse “Lektorët e asociuar” do të marrin 800 lekë. Me një shumë të majme parash do të shpërblehen të gjithë anëtarët e stafit akademik që do të marrin pjesë në mbledhjet e organeve drejtuese të universiteteve. Pavarësisht sa të rregullt  janë, dhe ata do të shpërblehen 8000 lekë në muaj. Nuk do të ketë asnjë ndryshim mes pedagogëve që shkojnë në një mbledhje të vetme dhe atyre që paraqiten në të gjitha. Sakaq në vendimin e fundit saktësohet se kur një anëtar i personelit akademik, për nevoja të procesit mësimor, punësohet në një vend pune me kërkesa më të ulëta se kualifikimi i tij vetjak, do të përfitojë pagën sipas vendit të punës. Veç saj do të marrë edhe një shpërblim prej 50% të diferencës së pagës që do merrte në përputhje me kualifikimin. “Kur një anëtar i personelit akademik, për nevoja të procesit mësimor punësohet në një vend pune me kërkesa më të larta se kualifikimi vetjak, do të përfitojë pagën sipas kualifikimit të tij”, thuhet në vendim. Për të dyja rastet e sipërmendura këto forma pagesash nuk mund të vazhdojnë për një periudhë të gjatë kohore, pasi sipas ligjit të Arsimit të Lartë anëtarët e personelit akademik kategorizohen në përputhje me kualifikimin vetjak. Kategorizimi i personelit akademik brenda çdo klase bëhet në përputhje me klasifikimin e vendeve të punës në universitete, sipas tabelës që do të paraqitet më poshtë. Vendimi do të hyjë në fuqi me fillimin e vitit të ri akademik 2009-2010. Personeli akademik me kontratë në cilësinë e personaliteteve, vendase ose të huaja, të paguhet me honorare për ditë /orë pjesëmarrje në procesin e mësimdhënies në institucionet publike të Arsimit të Lartë. Përcaktimi i masës së honorarëve bëhet me vendim të rektoratit. Masa e pagesës nuk duhet të jetë më e madhe se 5 fishi i pagesës për orët mbi normë të kategorisë profesor.

Pikat kryesore të vendimit

Personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në institucionet publike të Arsimit të Lartë përfiton shtesë për vjetërsi në punë, në masën 0.5 për qind, për çdo vit pune por jo më shumë se për 15 vjet.

Shpërblimi i personelit akademik për pjesëmarrje në këshillin e administrimit, senatin akademik, këshillin e fakultetit, këshillin e profesorëve, pavarësisht nga numri i mbledhjeve dhe nga pjesëmarrja në këto këshilla, është në masën 8 000 lekë në muaj. Anëtarët e jashtëm të organeve kolegjiale, që përmenden mësipër, shpërblehen në të njëjtën masë me anëtarët e personelit akademik efektiv të institucioneve publike të Arsimit të Lartë.

Anëtarët e personelit akademik, që për nevoja të procesit mësimor, japin orë mësimi mbi normën mësimore vjetore të miratuar me aktet përkatëse, për çdo orë mësimi të kryer mbi këtë normë paguhen si më poshtë:

1-Kur janë të kategorisë “Profesor” përfitojnë 1200 lekë për çdo orë 60-minutëshe.

2-Kur janë të kategorisë “Profesor i asociuar” përfitojnë 1100 lekë për çdo orë 60-minutëshe.

3-Kur janë të kategorisë “Docent” përfitojnë 1000 lekë për çdo orë 60-minutëshe.

4-Kur janë “Lektorë” përfitojnë 600 lekë për çdo orë 60-minutëshe

Struktura

Nivelet e pagave për punonjësit e personelit akademik, në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë.

Rektor (Titullar institucioni)                                  
                125.000 lekë

Zëvëndës rektor, kategoria “Profesor”
                120.000 lekë

Zëvëndësrektor, nga kategoria “Docent”                   
                118.000 lekë

Dekan nga kategoria “Profesor”
                120.000 lekë

Dekan nga kategoria “Docent”                                          
                118.000 lekë

Zëvëndës  dekan nga kategoria “Profesor”                 
                107.000 lekë

Zëvëndës dekan nga kategoria “Docent”                             
                95.000 lekë

Përgjegjës i njësisë bazë nga kategoria “Profesor”        
                107.000 lekë

Përgjegjës i njësisë bazë nga kategoria “Profesor”               
                95.000 lekë

Profesor                                                             
                103.500 lekë

Profesor i Asociuar                                                         
                90.000 lekë

Docent                                                              
                80.000 lekë

Lektor i Parë/Kërkues i parë                                    
                77.000 lekë

Lektor/Kërkues                                                                  
                61.000 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›