E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista e Asamblesë së re sjell prurje nga shoqëria civile në PS

Share

Kongresi i PS-së pritet të rifreskojë në masën 70 për qind emrat e Asamblesë kombëtare. Risi në emrat që do të vijnë nga jashtë PS-së, ndërsa nuk përjashtohen asnjë nga kundërshtarët e Ramës që nga Fatos Nano tek Kastriot Islami

Nga Blerina Gjoka

Kongresi i sotëm i Partisë Socialiste ka ngritur në nivelin më të lartë vëmendjen e publikut duke pritur çfarë do të ndodhë në gjirin e partisë më të madhe në opozitë, a do të dijë ajo të mos i lërë divergjencat e vogla brenda vetes të kthehen në një përçarje të re dhe a do të jetë ky kongresi që do ti japë partisë një start të ri për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme?  Ajo që duket deri më tani është se PS po tenton ta orientojë Kongresin e ri jo drejt problematikave të brendshme, por drejt riorganizimit të opozitës me synim ardhjen në pushtet. Në këtë prizëm nuk ka shanse të forta që kongresi të pjellë ndonjë ndarje partie, apo në rastin më të keq ndonjë parti të re nga disa zëra kritikë brenda saj, gjithashtu nuk do të shfaqet as pastrimi i forumeve nga emra që sot nuk janë më të lidhur me këtë parti dhe shfaqen kundërshtarë të kryesocialistit Edi Rama, siç është Fatos Nano, Kastriot Islami, apo në rastin e fundit e ish-presidentit Rexhep Meidani. Kësisoj gjithë vëmendje është fokusuar tek lista e re e Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, e cila do të shtohet në numër deri në 200 anëtarë. Siç bëjnë të ditur burime nga selia rozë risia e kësaj liste do të jenë emrat që do të futen për herë të parë në forumin e lartë vendimmarrës të partisë. Bëhet fjalë për emra të shoqërisë civile, ish-zyrtarë që nuk janë angazhuar më parë politikisht, njerëz nga bota e biznesit apo e artit, ekspertë të fushave të ndryshme, etj. Ndërkohë baza e përbërjes së Asamblesë do të jenë njerëzit e PS-së, që janë në poste drejtuese partiake apo në qeverisjen lokale, deputetë, si dhe anëtarë të përhershëm për shkak të funksioneve të tyre të larta që kanë pasur më parë. Me anë të këtij statusi përfitojë armiqtë e Ramës në parti, pasi sipas statutit do jenë anëtarë të Asamblesë të gjithë ata që kanë mbajtur post presidenti (Meidani), kryeministri (Nano)dhe kryetar Kuvendi (Islami) gëzojnë të drejtën të jenë anëtarë pavarësisht nëse e përdorin këtë të drejtë apo do i lënë karriget bosh siç kanë bërë deri më tani.

Askush nuk flet për ndarje, por për risi

Sekretari organizativ Blendi Klosi duke folur për mediat e ka përshkruar kongresin e sotëm si Kongresi i risive, duke iu referuar programit të ri dhe prurjeve të reja në forume. Klosi tha se lista e emrave që do të hyjnë në Asamble do të pësojë ndryshime edhe gjatë punimeve të Kongresit. Siç mësohet nga selia rozë pritet të ketë propozime të veçanta nga delegatët e çdo rrethi për emrat e rinj të Asamblesë. Mbas statutit të ri, i cili do të miratohet në seancën e parë, numri i anëtarësisë së Partisë Socialiste është i përcaktuar në çdo forum të partisë dhe kjo është një nga risitë që sjell statuti i ri. Çdo forum i partisë zgjedh në përbërje të tij një numër më të madh anëtarësh sesa janë ata të përcaktuar në bazë të detyrës funksionale që ata shtrojnë, thotë Klosi. Ata që janë pak skeptikë ndaj kongresit si për shembull deputeti Arben Malaj nuk presin ndonjë risi nga Kongresi, të paktën jo ato që kërkojnë ata të ndryshojë. Duke folur në një debat televiziv me kolegët e tij të PS-së Malaj tha se në ndryshimet në statut nuk i jepet hapësira e duhur demokratizimit të partisë dhe pranimit të mendimit ndryshe. Brenda partisë nuk ka xhaketa të vjetra dhe të reja. Ajo që na bën fitues është vlera, përkushtimi dhe kualifikimet e njerëzve që formojnë këtë forcë. Mosha është vetëm një e dhënë statistikore, një e dhënë kronologjike se kur ke lindur, por në aderimin në PS, nuk duhet të jetë absolutisht një parim. E njëjta vlen edhe për liderin, sepse PS nuk ka lider, është një grup pune që qëndron dhe punon gjithmonë bashkë, tha Malaj. Por gjatë debatit në Top-Story dukej se nuk kishte ndonjë divergjencë të madhe për programin e ri apo për mënyrën e të bërit opozitës. Nga ana tjetër deputeti Bashkim Fino, foli për ndryshimet në statut duke thënë se mendimi ndryshe respektohet por jo veprimi ndryshe. Është e rëndësishme që të të mendojmë ndryshe, por të veprojmë të gjithë njësoj. Partia Socialiste është e rëndësishme që të jetë e bashkuar. Programi ynë do të jetë i tillë që të ofrojë një alternativë të re, të besueshme. Megjithatë, bëhet fjalë vetëm për një hap të parë, pasi është e qartë që gjithçka do të vazhdojë të shtjellohet deri në ardhjen e zgjedhjeve, tha ai.

Një debat i vogël mes  Malajt e Finos kishte të bënte me përcaktimin e kohëzgjatjes së mandatit të kryetarit të partisë. Statuti sanksionon se anëtari i partisë është vlerë, anëtari voton kryetarin e PS, për delegatët. Partia Socialiste është parti me bazë të gjërë. Ndryshimet kanë ardhur si rezultat i analizave dhe punës tonë në këto vite. Draft-statuti do miratohet në kongresin e 5 nëntorit, tha Fino.  Ndërsa Malaj tha se PS duhet të shndërrohet në parti institucionale me qarkull elitash. Sipas zotit Malaj, posti i kryetarit duhet të kufizohet në 8 vjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›