Haxhinasto takohet me ministrin e Jashtëm serb, asnjë fjalë për konfliktin në Kosovë
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto është takuar me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç ku ka diskutuar për problemin shqetësues mes dy vende, siç është njësimi i diplomave, por jo për situatën në veri të Kosovës dhe qasjen që ka ndaj saj Beogradi zyrtar.
Kështu, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të ministrisë së Jashtme shqiptare, mësohet se: “Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto, është takuar me ministrin e Jashtëm të serbisë, Vuk Jeremiç, gjatë pjesemarrjes në Samitin i Nismës së Evropës Qendrore (CEI), e cila u mbajt në Beograd. Bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve dhe afrimi i komuniteteve të biznesit ishte një nga temat që u identifikua nga bashkëbiseduesit, si një drejtim i rëndësishëm i bashkëpunimit në të ardhmen. Në këtë drejtim, tha z. Haxhinasto, do të ishte me mjaft interes mbajtja e një forumi të përbashkët të biznesit, gjatë të cilit komunitetet e biznesit të dy vendeve do të forconin më tej lidhjet dhe bashkëpunimin, si dhe do të identifikonin fushat me interes të ndërsjellë, përfundon njoftimi i ministrisë së jashtme të Shqipërisë”.