Lista e barnave, gati për shkurtim
Rritja e euros, kriza ekonomike dhe fondi për ilaçe kufizojnë rimbursimin për vitin 2010. Pritet mbledhja e komisionit
Me gjithë dëshirën e mirë për të bërë një listë të mirë barnash me rimbursim, për të bërë të mundur hyrjen e saj në fuqi që në muajin e parë të vitit dhe për të nxjerrë nga deficiti grosistët, do të duhet pak më shumë kohë për të gjetur një zgjidhje të mesme. Muaji janar është mbyllur dje për administratën, e cila nis punën ditën e hënë, më 1 shkurt. Projekti për të nxjerrë në treg listën e re të barnave me rimbursim në muajin janar dështoi. Kjo për disa arsye, të cilat të mbledhura bashkë shkaktuan këtë gjendje “amorfe” për të gjithë aktorët pjesëmarrës.
Rritja e çmimit të euros në tregun e këmbimit të valutës, kriza ekonomike, fondi i limituar vendosur në dispozicion për ilaçet, si dhe kthimi mbrapsht i listës nga Ministria e Financave po mban pezull miratimin e listës së barnave me rimbursim.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë do të duhen edhe pak kohë deri në miratimin përfundimtar të saj. Ajo që dihet me siguri është “restaurimi” që duhet t’i bëhet kësaj liste.
Komisioni
Këtë javë pritet që një nga punët me prioritet të jetë edhe mbledhja e Komisionit të Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave me Rimbursim. Në këtë mbledhje pritet të diskutohet mbi ilaçet e propozuara, rishikim i masave të rimbursimit, si dhe “shkurtime” të dozave apo medikamenteve të caktuara.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, lista e parë e barnave e dorëzuar pranë Financave është përpunuar, diskutuar e miratuar duke vendosur në balancë të gjitha “hallet”, kushtet e fondet e vendosura në dispozicion për këtë listë.
Por, pavarësisht kësaj, Financat nuk kanë rënë dakord, duke e kthyer mbrapsht këtë listë e duke kërkuar që anëtarët e komisionit të listës të mos jenë “dorëlëshuar” edhe pse bëhet fjalë për rimbursimin e të sëmurëve, kryesisht pacientë kronikë, mosha e tretë e qytetarëve që vuajnë nga diagnoza të vështira.
Lista
Por hallet e listës së barnave me rimbursim nuk ndalojnë këtu. Ndërsa qytetarët vazhdojnë të përfitojnë nga lista e rimbursimit miratuar vitin e kaluar, grosistët vazhdojnë të dalin me humbje, duke qenë se llogaritja e çmimit të tregtimit të barnave vazhdon të kryhet me 1.25 lekë për 1 euro, edhe pse kursi i këmbimit valutor tregon se 1 euro është këmbyer me 1.39 lekë ditët e fundit. Të ndodhur në këto kushte, si dhe të lodhur nga premtimet, shoqata e grosistëve ka vendosur që të marrë masa deri në zgjidhje të këtij handikapi. Sipas kësaj shoqate, në rast se nuk do të merren masa, lista e barnave me rimbursim rrezikon të pezullohet edhe në rast se miratohet nga Ministria e Financave dhe me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo, pasi ata “kërcënojnë” që do t’i lënë barnat stoqe në magazina, deri në gjetjen e konsensusit me strukturat shtetërore, me të cilat kanë shtrirë urat e bashkëpunimit për gjithë këto vite me radhë.
Sakaq, komisioni i hartimit dhe rishikimit të listës së barnave do të jetë më në vështirësi se çdokush tjetër. Pacientët janë pacientë, të gjithë vuajnë nga sëmundje kronike. Por pavarësisht kësaj, specialistëve të këtij komisioni u mbetet vetëm një rrugëzgjidhje: të mendojnë në mënyrë kritike.
#