E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat, Topi bën gati datën

Kreu i shtetit harton strategjinë e lëvizjeve të tij: “Mirëpres përpjekjet serioze”
Bamir Topi mori dje zyrtarisht rolin e kërkuar nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Që në orët e para të mëngjesit ai priti në zyrë ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me cilësinë e Presidencës së radhës së BE-së dhe përfaqësuesin e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Luixhi Bruza. Mesazhi i parë që u lëshua prej Topit shkoi në të njëjtën linjë me rezolutën e Këshillit të Europës. Tanimë pritet që ai të bëjë lëvizjen e radhës, duke thirrur zyrtarisht një tryezë politike të nivelit të lartë, ku të diskutohet mbi formulën e zgjidhjes së krizës. Burimet konfidenciale sqaruan se duke parë gadishmërinë e dy eksponentëve kryesore, kreu i shtetit është shprehur i gatshëm të caktojë një datë për tryezën. Sakaq, mësohet se mund të ketë më shumë se një të tillë duke mos përjashtuar paraprakisht takimet bilaterale mes kreut të shtetit dhe aktorëve kryesorë politikë.
Mesazhi
Dy diplomatët e lartë, gjatë takimit të djeshëm i shprehën kryetarit të shtetit shqiptar qëndrimin e Bashkimit Europian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri dhe komentuan rekomandimet e rezolutës së miratuar nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës mbi Shqipërinë. Presidenti i Republikës vlerësoi angazhimin serioz të Asamblesë së Këshillit të Europës dhe tha se ka lexuar me vëmendje rezolutën e miratuar nga kjo asamble mbi situatën politike në Shqipëri. Topi shprehu në të njëjtën kohë keqardhjen që një debat i tillë mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri të zhvillohet në Strasburg, në një kohë që Shqipëria ka qenë nga vendet e para ish-komuniste të anëtarësuara në këtë institucion përfaqësues europian. Presidenti Topi shprehu edhe një herë qëndrimin e tij se ndjek me vëmendje situatën mbaszgjedhore në Shqipëri, mirëpret të gjitha përpjekjet serioze për të kontribuar në përmirësimin e klimës politike dhe në rivendosjen e dialogut parlamentar. “Arritja e qëllimit të përbashkët, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, kërkon nga të gjithë një angazhim serioz dhe funksionim të plotë të të gjitha institucioneve për të vazhduar reformat e rëndësishme dhe bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë”, thuhej në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga Presidenca pas takimit.
Tryeza
Burimet diplomatike sqarojnë se tanimë pritet që kreu i shtetit të deklarohet për hapa të tjerë konkretë drejt mbledhjes së tryezës së partive politike. Deklaratave të djeshme të kreut të shtetit u erdhi menjëherë reagimi nga Kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, ndonëse më parë nuk pranonte një tryezë negociatash me ndërmjetës Topin, pas miratimit të rezolutës së Këshillit të Europës ka ndryshuar qëndrim. Sakaq, kreu i Partisë Socialiste, ashtu sikurse edhe më parë, ka garantuar edhe dje se është i gatshëm të ulet në tryezën e organizuar nga Presidenti Bamir Topi. Ajo çka duket se mban pezull tryezën dhe thirrjen e saj është ngritja e një platforme që të garantojë arritjen e një konsensusi. Në situatën ku ndodhemi, bazuar në deklaratat e fundit të Kryeministrit dhe kreut të opozitës, të dy ulen në tryezë, por suksesi i saj varet nga qëndrimi mbi kutitë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›