Ndërsa Greqia pretendon se nuk ka nevojë për ndihma financiare nga jashtë
Forumi
Zapatero: Eurozona është e sigurt dhe do të ketë anëtarë të rinj
Kryeministri spanjoll, Zapatero, ka dalë në mbrojtje të zonës euro, edhe pse shtimi i vendeve me një deficit të thellë ekonomik brenda kësaj zone si Greqia, apo Irlanda, kanë bërë që të dalin pyetje thelbësore dhe në lidhje me vetë shëndetin e kësaj zone. “Askush nuk do të largohet nga zona euro”, deklaroi Kryeministri, vendi i të cilit është një nga më problematikët e zonës, me një deficit buxhetor ndër më të lartët. Këtë deklaratë ai e ka bërë në një nga diskutimet e forumit ekonomik të Davosit që po zhvillohet në Zvicër. Sipas tij, në këtë zonë do të bënin pjesë edhe vende të tjera shumë shpejt, dhe ky ishte tregues i suksesit të një projekti të tillë. Në deklaratën e tij, ai u mbështet nga Presidenti letonez dhe Kryeministri grek. Edhe këto dy vende kanë hasur shumë probleme për sa i përket financave dhe deficitit të buxhetit. Por zyrtarët e lartë deklaruan se do të bënin ç’ishte e mundur që ta rregullonin bilancin dhe ta lehtësonin deficitin. Papandreu, nga ana e tij, mohoi spekulimet në lidhje me idenë se ndoshta Greqia mund të shpëtohej nga një paketë e bankave të fuqishme europiane. Megjithatë, një numër zyrtarësh të lartë europianë janë duke shqyrtuar situatën për transferimin e ndihmave në llogari të vendit problematik tashmë. “Ne nuk kemi kërkuar për ndihma financiare të çfarëdo lloji” deklaroi Papandreu, duke shtuar se Greqia tashmë kishte ndërmarrë hapa shumë të rëndësishëm për sa i përket daljes nga situata. Lideri socialist, ndër të tjera, fajësoi për problemet aktuale me të cilat po përballej vendi nga administrata e kaluar.
#