E Diel, 1 Nëntor 2026

Grbiç: Kroacia, mësime nga policia shqiptare në luftën ndaj krimit të organizuar



Shqipëria e ka fituar betejën kundër krimit të organizuar në vend dhe metodat e suksesshme të përdorura do të mësohen edhe nga ekspertët kroatë. Në takimin e zhvilluar midis drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi dhe homologut të policisë kroate, Oliver Grbiç, u vendos që të shkëmbehet eksperiencë midis dy vendeve për sa i përket goditjes së krimit të organizuar në vend. Numri një i policisë kroate u shpreh se Shqipëria ka arritur me sukses që të shkatërrojë grupet kriminale. “Tek ne do të keni një partner dhe një mik që do ndajë me ju gjithë eksperiencën e fituar. Po ashtu, jemi të përgatitur që të mësojmë nga ju, pasi eksperienca juaj për shkatërrimin e krimit të organizuar është e madhe në këtë fushë”, - u shpreh Grbiç. Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në mënyrë të veçantë u ndal në arritjet e policisë shqiptare në luftën ndaj krimit.

“Mund t’ju them se vitet e fundit Policia e Shtetit ka arritur suksese të mëdha në luftën ndaj krimit. Në çdo qytet të vendit janë goditur grupe kriminale që prej vitesh ushtronin veprimtarinë e tyre kriminale në dëm të qytetarëve, duke aplikuar me sukses metodat speciale të hetimit. Kjo u realizua me vullnetin politik të qeverisë me moton tolerancë zero ndaj krimit e korrupsionit, por dhe me angazhimin e gjithë strukturave të Policisë së Shtetit”, - u shpreh Prençi. Në vijim, numri një i Policisë së Shtetit shtoi se ndër prioritet e punës ka qenë dhe goditja e të gjitha llojeve të trafiqeve, për vetë pozitën gjeografike që ka Shqipëria. “Nëse para 5 apo 6 vitesh në Itali sekuestroheshin dhjetëra ton drogë kanabis sativa dhe qindra kilogramë heroinë, sot këto shifra sipas statistikave zyrtare italiane janë të papërfillshme”, -theksoi ai. Gjithashtu, sipas Prençit, falë bashkëpunimit policor ndërkombëtar, Interpol dhe Europol, është bërë e mundur kapja e qindra personave të kërkuar në vende të ndryshme të botës, njëkohësisht me strukturat e ngritura është bërë i mundur zhvillimi i shumë operacioneve të përbashkëta, si me Malin e Zi, Kosovën, policinë italiane, gjermane, franceze, britanike. Duke iu referuar bashkëpunimit me policinë kroate, Prençi vuri në dukje traditën shumë të mirë të bashkëpunimit policor ndërmjet dy vendeve, e cila i ka fillesat e saj që në vitin 1993 dhe në vazhdimësi këto marrëdhënie kanë ardhur duke u rritur dhe intensifikuar. Po ashtu, përgëzoi strukturat kroate për gatishmërinë e vazhdueshme në bashkëpunim. Drejtori i Përgjithshëm i policisë kroate, z. Grbiç, vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy policive, si një bashkëpunim në nivele shumë të larta. “Për mua është kënaqësi që ky bashkëpunim është i mirë e shumë i ndjeshëm për dy vendet tona që pretendojnë integrimin në BE, integrim i cili po realizohet me sukses e po hap perspektiva të reja”, - theksoi Grbiç.

Kontroll online të gjithë territorit

Policia e Shtetit është e aftë që të kontrollojë online gjithë territorin shqiptar. Sipas Prençit, aktualisht Policia e Shtetit është e përgatitur për të pasur 100% online të gjithë rrjetin në territorin e vendit. Kjo ka të bëjë me gjithë Pikat e Kontroll Kalimit Kufitar, me një sistem informacioni shumë modern, siç është sistemi Memex për përpunimin e informacionit kriminal e sistemi Rims për financën e burimet njerëzore. Po ashtu në sallën qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme po montohen pajisjet qendrore që do të monitorojnë të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar, si dhe të gjithë radarët.

Prençi, takim me delegacionin e policisë së EULEX-it në Kosovë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, zhvilloi një takim me delegacionin e policisë së EULEX-it në Kosovë, ku u diskutua për bashkëpunimin midis dy vendeve. Gjatë këtij takimi, Prençi prezantoi procesin e transformimit që ka pësuar Policia Shqiptare dhe ndryshimet e bëra ngushtësisht me partnerët ndërkombëtarë që prej vitesh asistojnë policinë shqiptare si PAMECA e ICITAP. Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se “jemi përpjekur të përfshijmë në këtë proces përvojën e eksperiencat më të mira, ishte një proces i vështirë, por produkti ishte mjaft i mirë. Kemi krijuar për herë të parë një stabilitet në procesin e rekrutimit të punonjësve të policisë dhe të ecjes në karrierë e në gradë”. Ndërkohë Lucas, drejtuesi i delegacionit të Kosovës, shprehu vlerësimet për progresin e Policisë Shqiptare. “Është impresionuese, që çdo herë që vijmë në Shqipëri shohim arritje të reja dhe ky proces pozitiv transformimi që ndodh këtu është një pikë referimi si duhet të jetë Policia e Kosovës”, - u shpreh ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›