E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e re e plehrave, Moisiu: S'heqim dorë nga referendumi

TIRANE- Reduktimi i listës së mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi nuk është i mjaftueshëm për të hequr dorë nga referendumi popullor". Kështu ka deklaruar ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, njëkohësisht njëri prej nismëtarëve dhe mbështetësve kryesorë të Aleancës Kundër Importit të Plehrave. I pyetur nga "Gazeta Shqiptare" nëse reduktimi i kësaj liste, nga 55 në 25 lloje mbetjesh është një arsye për t'u tërhequr nga referendumi, Moisiu jo vetëm që ka pohuar se nuk ka arsye, por edhe njëherë ka mbështetur pozicionin e tij kundër ligjit që lejon importin e tyre. Sipas tij, fillimisht duhet të mirëmenaxhohen mbetjet që ne kemi aktualisht, ndërsa ka shprehur shqetësim për mënyrën e kontrollit. "Kërkesa që ka paraqitur Aleanca Kundër Importit të Plehrave, së cilës i jam bashkëngjitur edhe unë, ka ardhur sepse në Shqipëri kemi shumë plehra dhe ne duhet të mendojmë se si këto plehra t'i menaxhojmë më mirë, t'i ndajmë e t'i seleksionojmë. Nuk e kuptoj pse duhet me patjetër të sjellim nga jashtë dhe të krijojmë situata, të cilat nuk i kontrollojmë dot si duhet. Domethënë niveli i kontrollit tonë është shumë i ulët ende, pa folur këtu për korrupsionin e vendit tonë", - ka deklaruar Moisiu. Sipas ish-presidentit, importi i mbetjeve mund të bëhet vetëm pasi të tregohet aftësi menaxhimi dhe në treg të krijohen mungesa në këtë drejtim. "Unë personalisht do të thoja që nuk është fare e nevojshme të importojmë plehra nga jashtë pa menaxhuar këto që kemi me bollëk në vendin tonë. Në qoftë se ky menaxhim do të bëhet dhe neve nuk na mjaftojnë për lëndë të parë, ashtu siç pretendohet nga fabrikat e riciklimit, atëherë mund të sillen. Unë them që nuk ka arsye të tërhiqemi nga referendumi, sepse nuk po shohim që të ndodhë ajo që duhet të ndodhë", - sqaroi Moisiu. 
REDUKTIMI 
Reduktimi i listës së mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi është vendosur nëpërmjet një Vendimi të Këshillit të Ministrave dhe mban datën 23 gusht. Në bazë të këtij vendimi, lista e gjelbër e këtyre elementeve shkon në 25, nga 55 që ishin aktualisht. Sipas shefit të sektorit të mbetjeve në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ladi Bezhani, pas këtij vendimi do të lejohen vetëm mbetjet e skrapit, të metaleve, të mbetjeve me ngjyrë dhe pa ngjyrë, mbetje të plastikës, të letrës dhe të qelqit. Ndërkohë që, po sipas Bezhanit, janë hequr një sërë mbetjesh të tjera që mund të ishin subjekt abuzimi. "Janë hequr mbetje të tekstileve të ndryshme, janë hequr shumë mbetje të tjera që nuk e di edhe pse ishin futur në atë listë që edhe mund të abuzohej. Janë hequr mbetje të produkteve ushqimore, shtazore, karburi i qelizës, mbetje të mjeteve lundruese etj.", - ka shpjeguar Bezhani, në një prononcim për Gazetën. Reduktimi i listës është kërkuar nga vetë ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu. Nëpërmjet një relacioni, Mediu shpjegonte domosdoshmërinë e ndryshimit të kësaj liste.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›