E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e vendeve bosh sipas degëve

22/09/2009  Universiteti i Tiranës, raporton më shumë se 640 vende të paplotësuara, rrethet shifra edhe më të larta

Procedura që do të ndiqet për renditjen e re të fituesve që publikohen më 25 shtator

Një ditë pas mbylljes së procesit të regjistrimeve për fituesit e fazës së parë të universiteteve janë evidentuar dhe kuotat e parealizuara. Pranë Universitetit të Tiranës pohohet të jenë mbi 636 vende të mbetura bosh në fazën paraprake, pasi studentët nuk janë paraqitur për t’u regjistruar. Gjithashtu vende të shumta të parealizuara kanë rezultuar edhe pranë Universitetit Bujqësor dhe atyre të rretheve dhe pritet që gjatë ditës së sotme të dorëzojnë shkresat zyrtare në Ministrinë e Arsimit së bashku me vendet e parealizuara për çdo program studimi publik. Pas dorëzimit të listave me vendet bosh, këto të fundit do të udhëzohen edhe për procedurën e re që do të ndjekin për regjistrimet përfundimtare pas ripërcaktimit të listës së fituesve dhe një herë nga e para së bashku me ndryshimet në lëvizjet e preferencave apo zbritjen e listës. Lidhur me fazën e parë të regjistrimeve për universitetin më të kërkuar në kryeqytet pjesa dërrmuese e kuotave të parealizuara i përkasin Fakultetit të Ekonomisë, Shkencave të Natyrës dhe Gjuhëve të Huaja. Ndërsa pranë Fakultetit të Drejtësisë mbeten pa realizuar edhe 62 vende pranimi. Megjithatë, institucionet e arsimit të lartë në rrethe kanë më shumë kuota bosh, për shkak të përqendrimit të fluksit të kërkesave në kryeqytet. Rishpërndarja e re e fituesve, duke plotësuar dhe kuotat bosh, pritet të nisë brenda dy ditëve të ardhshme, ku APRIAL-i përveç lëvizjeve të preferencave nga më të ulëtat në ato më të larta (për degët ku kjo gjë e është e mundur) do të zbresin dhe vijën e fituesve, duke përfshirë në të edhe emra të tjerë jofitues në fazën e parë. Kjo listë do të zbresë me aq emra sa janë vendet bosh për secilën degë. Lista e re e fituesve do t’u dërgohet sërish fakulteteve, që do të hapin një procedurë të dytë regjistrimi pas datës 25 shtator. Megjithatë, në këtë fazë pritet të evidentohen edhe vende të tjera të shumta të parealizuara, pasi deri në këtë hark kohor do të jetë identifikuar zyrtarisht numri i kandidatëve që do të ndjekin studimet e larta jashtë vendit. Në këtë hark kohor dalin dhe përgjigjet zyrtare të fakulteteve të huaja, kështu kjo kategori fituesish që është regjistruar në fazën e parë do të krijojë vende të tjera të mbetura bosh, që do të plotësohen në fazën e tretë. Pranimet e kësaj faze do të realizohen me një formular të tretë preferencash, i cili do të plotësohet vetëm nga maturantët jofitues dhe në të do të listohen vetëm degët me kuota bosh. Lista e re do të publikohet në të gjitha fakultetet deri më 25 shtator, më pas do të fillojnë regjistrimet.

Fituesit e fazës së dytë

Udhëzimi i regjistrimeve përcakton se kandidatët që kanë ndryshuar në renditjen e preferencave duhet të çregjistrohen domosdoshmërisht, në të kundërt rrezikojnë ndjekjen e studimeve të larta. Nëse maturanti gjatë fazës së parë ka fituar në preferencën e pestë dhe pas rishpërndarjes së re (pasi janë plotësuar kuotat bosh) rezulton të jetë fitues në preferencën e tretë, më parë duhet të bëjë çregjistrimin në degën ku është regjistruar paraprakisht

Regjistrimi përfundimtar

Pas kësaj ai duhet të shkojë për t’u regjistruar në preferencën e tretë, që është përzgjedhja më e lartë e bërë në formularin A-2. Për të bërë çregjistrimin kandidatët duhet të paraqiten vetë dhe të marrin pranë sekretarive dosjen me dokumentet e duhura, të cilën më pas do ta çojnë për të bërë regjistrimin në preferencën më të lartë. Nëse nuk do të ketë ndryshime preferencash, s’është e nevojshme regjistrimi sërish në atë degë

517 kuotat, formulari A-3

Rreth 517 kuotat bosh të konfirmuara zyrtarisht që në fazën e parë do të plotësohen gjatë fazës së tretë. Këto kuota së bashku me të tjerat që do të rezultojnë të paplotësuara pas mbylljes së regjistrimit përfundimtar do të listohen në formularin A-3, ku kandidatët humbës do të plotësojnë edhe një herë 10 preferencat për të mos humbur ndjekjen e vitit akademik për 2009-2010. Për këtë fazë do të publikohet edhe udhëzimi i posaçëm nga Ministria e Arsimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›