E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e tranvestitit, policia arreston autorin kosovar

22/09/2009  Sebadin Hoxha pranon krimin. “E qëllova me thikë se më zhgënjeu”

Një psikolog po punon me të, pasi gjendja mendore e tij është shumë e rënduar

TIRANE- Policia e Tiranës ka mundur të verë në pranga personin kryesor që dyshohet se ka ekzekutuar me thikë në qafë tranvestitin Petrit Licaj ose “Kristina” nga qyteti i Elbasanit. Burime zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë thanë se emri i të arrestuari është Sebadin Hoxha, 36 vjeç nga Prizreni i Kosovës. Mësohet se identifikimi i tij është kryer nga disa deklarime që kanë dhënë kolegët e tjerë të viktimës, të cilët i thanë policisë se “Kristina” ishte parë për herë të fundit me një shtetas kosovar, i cili prej rreth dy javësh rinte në ambientin ku ushtronin prostitucion tranvestitët dhe femrat e moshave të ndryshme. Pas këtyre dëshmive grupi hetimor ka mundur të identifikojë dhe të lokalizojë vendndodhjen e kosovarit 36-vjeçar, i cili pasi u shoqërua në ambientet e policisë së kryeqytetit është marrë në pyetje nga hetuesit e çështjes. Përpara tyre Sebadin Hoxha ka pranuar krimin e rëndë, duke u shprehur se e kishte vrarë tranvestitin pas zhgënjimit që ai kishte pasur gjatë marrëdhënies seksuale. “Vendosa të kaloja disa momente të bukura me të, pasi në pamje të parë mu duk si femër e bukur, por kur shkuam në hotel vura re se ai i përkiste gjinisë mashkullorë”,- mësohet të jetë shprehur në polici i arrestuari nga Kosova Sebadin Hoxha. Pas këtij zhgënjimi i irrituar në kulm, 36-vjeçari e ka qëlluar me thikë në qafë tranvestitin Petrit Lucaj, ku si pasojë e të cilës ai ka humbur shumë gjak dhe gjatë rrugës për në spital ka humbur jetën. Aktualisht kosovari mbahet i izoluar në ambientet e policisë së Tiranës, ku një psikolog po punon me të, pasi gjendja mendore e tij është shumë e rënduar. Pritet që së shpejti ai të dalë përpara gjykatës së Tiranës, e cila do vendosë masën e sigurimit për të dyshuarin 36-vjeçar nga qyteti i Prizrenit të Kosovës. Qendra e kryeqytetit është kthyer në një xhungël të vërtetë prostitutash e tranvestitësh, ku edhe konsumi i lëndëve narkotike nga punëtorët e seksit dhe klientët ia shton edhe më tepër këtë paralizë metropolit shqiptar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›