Urdhri i Infermierëve, në kongres për problemet e profesionit

Tiranë, 21 shtator NOA-Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë zhvilloi Kongresin e saj të 5-të, gjatë së cilës përfaqësues të niveleve të ndryshme të sektorit shëndetësor paraqitën problemet që i shqetësojnë prej vitesh.
Presidenti i rizgjedhur në postin drejtues të kësaj Sindikate, z. Sabri Skënderi, në të njëjtën kohë edhe president i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë vuri në dukje gjatë fjalës së tij faktin sesi kjo sindikatë po punon që të plotësojë deri në fund kërkesat e punonjësve në të gjitha nivelet e sektorit shëndetësor.
Kushtet e punës për infermierët, mjekët apo fizioterapistët në spitalet tona lënë ende për të dëshiruar, megjithëse kërkesën për përmirësimin e tyre vazhdimisht e kemi ngritur në nivele të ndryshme drejtuese, tha gjatë fjalës së tij Skënderi.
Më pas, ai pohoi se gjatë muajve që vijnë Sindikata e Shëndetësisë do të angazhohet për nënshkrimin e kontratave të nivelit të parë me Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe marrëveshje të nivelit të dytë që të mbrohen punonjësit nga largimet e padrejta nga puna.
Në këtë kongres, ka qenë i ftuar edhe kreu i Bashkimit të Sindikatave Shqiptare, Gëzim Kalaja, i cili gjatë fjalës së tij tha se sindikatat do të punojnë që të kërkojnë që pagat e punonjësve të shëndetësisë të kenë edhe një rritje tjetër gjatë mandatit të dytë qeverisës.
Do ti dërgojmë qeverisë një rezolutë në të cilën do ti kërkojmë që të plotësohet kodi i punës dhe që punonjësit e shëndetësisë të jenë të mbrojtur ndaj sëmundjeve të ndryshme. Në këtë rezolutë do të përmbahet edhe kërkesa për sigurimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave për kategoritë e mjekëve, infermierëve dhe gjithë punonjësve të tjerë të shërbimit shëndetësor, përmbylli fjalën e tij, Skënderi.