E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat e të dënuarve, ku të ankoheni

09/07/2009  Me vendim të Këshillit të Ministrave janë miratuar tre lista me emrat e përfituesve

Duhet kërkesë zyrtare për korrigjimin e gabimeve të mundshme me përfitimet

Ish-të përndjekurit mund të ankohen nëse nuk janë dakord me dëmshpërblimin e caktuar prej Ministrisë së Drejtësisë. Nëse ata nuk kanë gjetur ende emrin në listat e miratuara deri më tani, apo shuma përfundimtare e përftimit nuk është ajo që pretendohet prej tyre ankesa duhet të depozitohet në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë. Ky është dikasteri përgjegjës për verifikimin e emrave të përfituesve dhe në bazë të vendimeve për dëmshpërblimet e marra më parë nga ana e ish-të përndjekurve politikë është përcaktuar shuma përfundimtare.

Ankesat

Ankesa mund të përpilohet në çdo rast dhe për çdo vërejtje që mund të ketë përfituesi. Tashmë janë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave tre lista me emrat e përfituesve nga ky proces. Gjatë gjithë muajit qershor të tjerë pretendues kishin afat për të paraqitur kërkesat e tyre për të përfituar shumat që ligji u njeh ish-të përndjekurve politikë, apo të afërmve të tyre. Kërkesa zyrtare, sipas ekspertëve, duhet të drejtohet pranë Ministrisë së Drejtësisë. “Në rast se ish-të dënuarit kanë vërejtje për përfitimet e mëparshme, gabime të mundshme, etj., do të drejtojnë kërkese zyrtare Ministrisë së Drejtësisë për korrigjime të mundshme, nëse rezulton një gjë e tillë”, - theksojnë ekspertët e Drejtorisë së përgjithshme të Thesarit. Ministria e Financave është ngarkuar për të ndjekur vetëm pagesën sipas VKM-së duke depozituar direkt në llogaritë personale të ish-të dënuarve ose të trashëgimtarit, apo trashëgimtarëve kur ish i dënuari nuk jeton. Në fillim të këtij muaji qeveria miratoi një listë të tretë me rreth 1 300 emra për dëmshpërblimin financiar për ish-të përndjekurit. Burime zyrtare të qeverisë theksojnë se ky vendim ka si qëllim përcaktimin e masës së dëmshpërblimit për shtresës së ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, në vazhdën e vendimeve që qeveria ka marrë më parë.

Procesi

Më shumë se 700 përfitues kanë marrë të hollat që u takojmë ligjërisht nga procesi i ndarjes së fondit të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit. Burime zyrtare të Ministrisë së Financave, pohojnë se, ka pasur mjaft vonesa për shkak të verifikimeve të mundshme apo parregullsi me dokumentacionin. Ministria e Financave ka për detyrë vetëm ndarjen e fondit, për ata persona emri i të cilëve është publikuar në listat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Ajo që duhet të bëjnë qytetarët e përfshirë në këtë proces është plotësimi në mënyrë sa më korrekte i dokumentacionit. Në të kundërt, nuk do të marrin atë që ligji u ka caktuar të përfitojnë. Sipas burimeve zyrtare, radha dhe ekzaktësia në depozitimin e dokumentacionit janë kriteret dhe njëkohësisht çelësi për shpejtimin e ekzekutimit të pagesave. Në mbledhjen e qeverisë të datës 18 qershor u miratua edhe vendimi, sipas të cilit, ambientet në të cilat jetojnë prej kohësh familje të shtresës së ish-të përndjekurve politikë t’ia kalojë për privatizim. Këto objekte do të shndërrohen në pronë të familjeve të ish-të përndjekurve.

Kategoritë

Ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë do të përfitojnë 2 mijë lekë për çdo ditë burg. Ndërkohë, ata që kanë qenë të internuar ose në ambiente të rrethuar në tela me gjemba nga viti 1944 deri në vitin 1954 do të përfitojnë nga 1 mijë lekë për çdo ditë burgim. Ligji “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist” zëvendësoi në këtë mënyrë ligjin e mëparshëm, i cili përreth dy vjet ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Përfitues, sipas këtij ligji, janë ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist të periudhës 30 nëntor 1944 deri më 01.10.1991, të cilët kanë kryer dënim penal të padrejtë dhe kanë vuajtur pjesërisht apo plotësisht dënimin e dhënë, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuar gjatë periudhës 30 nëntor 1944 deri më 01.10.1991. Që prej vitit 1991, kur morën fund persekutimet për motive politike, shtresat e përndjekura për këto motive ende nuk janë rehabilituar financiarisht.

Fondi 2009

Në buxhetin e këtij viti janë vënë në dispozicion për dëmshpërblimin e kësaj kategorie 2 miliardë lekë ose 20 milionë dollarë. Fondi është rreth 3.2 herë më i lartë se fondi për kompensimin e ish-pronarëve që llogaritet rreth 6 milionë dollarë për vitin 2009. Fondi për vitin 2009 është llogaritur në këto nivele për shkak se fondi prej 10 milionë dollarë që ishte përcaktuar për ish-të përndjekurit këtë vit nuk është shpenzuar. Burimet të Ministrisë së Financave kanë bërë të ditur se ky proces po ndiqet me një vëmendje shumë të madhe. Nga ana tjetër janë përcaktuar edhe strukturat përgjegjëse qoftë për monitorimin e procesit të ndarjes së përfitimeve financiare, apo edhe për verifikimin paraprak të të gjitha kategorive, deri në miratimin e listave nga Këshilli i Ministrave. Drejtoria e përgjithshme e Thesarit është duke vijuar ndarjen e parave për të gjithë përfituesit e shpallur edhe gjatë këtij muaji.

Tërheqja e parave

Shpërndarja e parave në formë dëmshpërblimi për ish-të dënuarit po bëhet nëpërmjet llogarive bankare, të hapura prej tyre. Shuma e të hollave mund të tërhiqet nga vetë ish-të dënuarit ose në rast se ata nuk jetojnë më, ajo tërhiqet vetëm nga familjarët e tij si bashkëshorti/ja ose fëmijët. Nëse asnjë prej tyre nuk është gjallë, fondet i kthehen buxhetit. Depozitat bankare që çelen në emër të ish-të dënuarit politikë bëhen të disponueshme brenda një jave nga çelja e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›