E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hakmarrja për drejtësi”, vulosen dënimet për bandën

09/07/2009  Në Apelin e Krimeve të Rënda mbeten në fuqi 3 burgime të përjetshme dhe 142 vjet burg

Mbyllet kështu maratona 13-vjeçare e procesit më të bujshëm e më të zgjatur në vite

TIRANË – “ Hakmarrja për drejtësi” vuloset në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Në datë 7 korrik në orët e vona të pasdites, kjo gjykatë ka marr vendimin e formës së prerë për dhjetë të pandehurit e këtij grupi tashmë të njohur për bëmat e tij në formën e një organizate kriminale. Edhe pas 13 vjetësh ky grup vazhdon të mbetet në sistemin e drejtësisë, e cila ka vendosur të mos i ndryshojë asgjë vendimit të mëparshëm të marrë nga Shkalla e Parë për Krime të Rënda. Tre burgime të përjetshme dhe 142 vjet burg është vendimi i dhënë nga Apeli i Krimeve të Rënda. Theksojmë se gjykata e shkallës së dytë ka lënë në fuqi të gjitha veprat penale, ashtu si edhe shkalla e parë. Ndërsa ka ndryshuar vetëm një prej tyre.

Vendimi

Në dispozitivin e Gjykatës së Apelit i përbërë prej dhjetë faqesh, në pikën e parafundit të tij, pra pika 11-të thuhej shprehimisht: “Gjykata vendos prishjen e vendimit numër 44 datë 01. 07 2008 të Gjykatës për Krime të Rënda Tiranë në lidhje me pushimin e çështjes penale ndaj të pandehurve, për veprën penale të parashikuar nga neni 334, për shkak amnistie, sepse fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”. Ndërsa në pikën e fundit të dispozitivit thuhet: “Gjykata vendosi lënien në fuqi të vendit numër 44 datë 01.07. 2008 të Gjykatës për Krime të Rënda për pjesët e tjera të tij”. Mbyllet kështu maratona 13-vjeçare e procesit më të bujshëm “Hakmarrja për drejtësi”. Duhet të theksojmë se të gjithë të pandehurit kanë qenë në mungesë dhe një pjesë e mirë e tyre kanë fituar azilin politik në Belgjik dhe në Zvicër. Të gjithë këta të pandehur që kanë pasur përfaqësuesit ligjor në gjykatë, kanë mbetur pa asnjë prej tyre. I vetmi që ka ndjekur procesin deri në fund është avokati Dylber Mani, një prej mbrojtësve të vendosur nga familja Shyti. Dylber Mani, avokati i vëllezërve Shyti dhe Altin Arapi, deklaroi dje pas seancës gjyqësore se vendimi i gjykatës ka qenë kopje e atij të shkallës së parë. Kundër “Hakmarrjes për drejtësi” janë zhvilluar mbi 100 seanca gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ndërkohë që si proces “Hakmarrja për drejtësi” ka qëndruar për rreth 13 vjet në gjykatë. Gjyqi ka vijuar për shumë kohë mes shumë akuzash dhe provash të servirura. Pasi është hetuar dhe gjykuar nga Shkalla e Parë e Gjyqësorit në Tiranë, grupi prej dhjetë vetësh u mor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për hetim.

Dënimet e akuzat

Altin Arapi, burgim i përjetshëm

Orik Shyti, burgim i përjetshëm

Gentian Çaka, burgim i përjetshëm

Nikolin Novruzi, 24 vjet burg

Roland Shyti, 25 vjet burg

Leart Shyti, 24 vjet burg

Kreshnik Spahiu, 24 vjet burg

Pasho Novruzaj, 17 vjet burg

Dritan Hate, 23 vjet burg

Gëzim Gjoni, 5 vjet burg

Banda në Tiranë

Organizata kriminale, ngritja e rënia e saj

Organizata kriminale “Hakmarrja për drejtësi” ka mbi shpinë dhjetëra vepra penale. Në dispozitivin e Apelit për Krime të Rënda rreshtohen të gjitha akuzat kundër të pandehurve, të cilët dyshohet se kanë filluar veprimtarinë e tyre që në vitin 1992. Pothuaj një pjesë e mirë e të pandehurve ndodhen në vende të ndryshme ku kanë fituar edhe azil politik. Në krye të këtij grupi qëndrojnë vëllezërit Shyti, djemtë e Aredin Shytit. Burgosja e Shytit ka sjell më pas edhe krimin e një grupi kriminal që i mori jetën edhe ish-drejtorit të përgjithshëm të burgjeve Bujar Kaloshi. Në datë 26 korrik të vitit 1996 u vra në afërsi të banesës së tij Bujar Kaloshi. Ndërsa numërohen me dhjetëra akuza për vjedhje bankash si dhe hedhja në erë e supermarketit “Vefa Hollding” në Tiranë. Janë vrarë punonjës policie dhe janë grabitur me dhjetëra banka. Miliona dollarë që figurojnë të grabitur dhe sipas gjykatës tashmë kanë një autor, organizatën “Hakmarrja për drejtësi”.

Reagon Orik dhe Leart Shyti

“Dënimet tona kanë prapavija politike”

Në deklaratën për media “Hakmarrja shqiptare e drejtësisë” thotë se “Do duhet të kalojë shumë kohë për t’u njohur me përmbajtjen e vendimit. Vendimi, jo vetëm për ne, por edhe për shumëkënd që e di se pushteti personal i Sali Berishës është i pakufishëm, nuk ishte i papritur. Prej kohësh e kemi bërë të njohur bindjen tonë se vendimi do jepej kur të donte ai. Lojën e nisur me vonesat për të penguar apelimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë e vijoi me militantin që “i ra shorti” për të kryesuar gjykimin e “Hakmarrjes”. Menjëherë u gjet preteksti për ta shtyrë gjykimin. Ju kërkua Këshillit të Lartë të Drejtësisë të caktonte gjyqtarin e pestë. Alibia: Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit kanë kryer veprime, domethënë janë të papërshtatshëm “për shkak të pjesëmarrjes në procedim”, siç thuhet në ligj. Kjo ishte gënjeshtër, sepse, sipas avokatit, shumica e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda nuk kanë marrë pjesë në procedim. Kështu kaluan disa muaj. Gjyqtari i pestë u caktua në fillim të vitit 2009. Në datën 23.06.09, ndërsa avokatët prisnin që gjykata të jepte vendim për kërkesat e mbrojtjes për marrjen e disa provave për të cilat nuk ishte shprehur më parë, ajo e quajti të përfunduar shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për të dhënë vendimin përfundimtar. Pas një kohe, trupi gjykues u kthye në sallë dhe kryesuesi tha se volumi i madh i dosjes donte më shumë kohë. Dhurata nuk iu bë në ditën që Berisha e kishte porositur, thjesht sepse kryesuesi nuk e siguroi dot shumicën. Gjykata nuk pranoi të merrte asnjë nga provat e kërkuara nga mbrojtja me arsyetimin: “Janë të panevojshme”. Por argumentin më mbresëlënës, për të rrëzuar një grup kërkesash të mbrojtjes, juristët e gjejnë në faqen 223-225 të procesverbalit të seancës së datës 14.04.09: Kërkesat e “sipërcituara i referohet qëllimit të manipulimit të këtij procedimi që do të thotë sipas mbrojtjes marrjen e këtyre provave për të provuar faktin e falsifikimit... fakti i falsifikimit të procedimit nuk është objekt... i këtij procesi penal. Përndryshe për aktet apo dokumente të përcaktuara, falsifikimi i tyre përbën objekt të një procedimi të veçantë sipas parashikimit të nenit 186 të K. Penal i veçuar nga ky proces”. “Mbrojtësit e Zotit të “Hakmarrjes” dhe të Shqipërisë, duke e ditur se vepra penale e falsifikimit është amnistuar në prill 1997, na rekomandojnë të vërtetojmë falsifikimet në një gjykatë tjetër. Faktet nuk vlejnë. Rrofshin shpifjet! Ditët, nga data 23 qershor deri në 7 korrik, nuk duheshin për të studiuar dokumentet që ka paraqitur mbrojtja, por për të ushtruar trysni mbi gjyqtarët e pabindur. Fjalët janë harxhuar dhe nuk kanë më kuptim. Është krejt e kotë t’i kujtosh popullit se Sali Berisha nuk pyet për ligjet, për Kushtetutën, për institucionet e pavarura, për standardet etj., si këto. Po deklarojmë edhe njëherë se Sali Berisha nuk e ka të vështirë të na dënojë, vështirë e ka të na pengojë të ankohemi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Prandaj përpiqet të na vonojë”.

Leart Shyti

Orik Shyti

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›