Listat komuniste të vdekjes, pas rrëzimit të statujave
19 vjet më parë: dëshmi e krimit komunist
Emri i diktatorit u zhduk nga pllakati i Universitetit, por jo nga mendësitë e nostalgjikëve. Sigurimsat, gjithmonë në vartësi të R. Alisë, kishin përgatitur lista të plota për hakmarrje. Në Korçë (si kudo gjetkë) nuk vonoi të përhapej, si valët sizmike, dëshira – tashmë e jetësuar. - e rrëzimit të statujave dhe të busteve të tiranit, që kishte mbytur në lot, në skamje dhe në zi, aspiratat e popullit për liri dhe për demokraci. Saimir Larti ishte njëri nga më të përkushtuarit e rrëzimit të E. Hoxhës në Korçë. E meriton të shkruajmë, me këtë rast, për hakmarrjen e kontingjenteve të diktaturës, që iu bashkëngjitën, që në fillim të herës, partisë emërndërruar.
* * *
Populli u gëzua, por familja e madhe e Namik Lartit u mbretërua. Ajo e dinte ç’kishte hequr nga regjimi që ia kishte vënë krusmën tejembanë kësaj familjeje të nderuar. I pari i fisit, Pashoja, njihej për ndershmërinë e tij. I biri i Pashos, Namiku, - babai i Saimirit, - shprehet për këtë burrë: -“Në vitin 1945 filloi farsa e “Gjyqit të popullit” që dihet se do të jepte ndëshkimin kapital për Pashon. U mblodhën me lajmërim apo të detyruar hamejtë dhe fundërrinat e Korçës, bashkë me të përdalat që nuk kishin mundur të krijonin kurrë familje. Kjo lukuni ulërinte në gjyq: “tradhtarët në litar”. Por u dëgjua edhe hukama e të pandehurit Pasho - “Po ju, more, mos ju kanë paguar që të ulërini?”. Dhe, kur e çuan për ekzekutim, u dëgjua buçitja e Pashos, nga autoburgu: - “Mos pini kafe për mua, por ndani sheqerka. Do të vijë dita që komunizmi do të përmbyset!”. Kulaku Pasho s’i kishte bërë keq kurrkujt!
E kështu filloi e vazhdoi kalvarin një varg familjesh të Bulgarecit, që ishin në farefisní me Pashon: syrgjynosje në zonat më të vështira të punës, burgime, konfiskime, mohimi i shkollës për nipërit e për mbesat. Një vargan i stërmadh i këtij rodi fisnik vuajti urinë gjysmëshekullore, sepse iu mohuan edhe triskat për marrjen e ushqimeve. Filloi kalvari i të gjithë fisit të Pashos.
I nipi Saimir Lati, në punët më hangarí dhe më të papaguara që ishin caktuar për atë nga zabërhanët e fshatit, e mbante vath në vesh atë thirrjen e gjyshit Pasho nga automjeti i orëve të fundme. I gjallë dhe aktivist, ishte ndër nismëtarët e parë të krijimit të degës së PD-së në vendin e tij. Njerëzit e mbledhjeve të skutave e kishin vënë në listën e zezë. Pas rrëzimit të bustit të E. Hoxhës në Korçë, filluan arrestimet e më të zjarrtëve që kishin rrëzuar statujën e E.H.-s në Korçë. Dhe vunë, madje, një bust prej tebeshiri gjersa e hoqën edhe këtë. U përpiluan listat e hakmarrjes. Në krye të saj ishte emri i Saimirit, i cili e mori vesh se ç’i kishin përgatitur. U arratis në Greqi. Por enveristët ia gjetën vendndodhjen. Saimiri pati fatin të punonte si kamerier në lagjen Iraklis të Athinës, në pronarë që e donin si birin e tyre, sapo vunë re se punonte me përkushtim, me ndershmëri, me seriozitet, duke qenë gojëmbël e fjalëpakë. Familja e Namikut fluturonte nga hareja kur Saimiri, i rregullt edhe ndaj familjes së vet, i telefononte rregullisht dhe i dërgonte ato që mundej. Urithët ishin mësuar me vrasje jashtë shtetit. Së fundi, si atentatorë zanatçinj, ia zbuluan vendqëndrimin. Koha e tragjedisë për familjen po afrohej. I ati, Namik Larti, ka shkruar një libër, në të cilin përshkruan hollësitë e kësaj fatkeqësie familjare. “Pas disa ditësh, Saimiri vdiq, tregon i ati, Namiku. – “Mjaft miq nga tanët iu drejtuan ambasadës shqiptare në Athinë për hetime dhe për zbardhjen e ngjarjes. Por ata të ambasadës u treguan të pashpirt e shpërfillës, sepse Saimiri kishte vajtur në Greqi pa lejen e tyre (!). Ambasada e Ramizit u vu në mbulim të krimit. Titullarët e ambasadës nuk kryenin siç duhet veprimet konsullore, por sikur ishin të ngarkuar që të hetonin nëse bashkëqytetarët e tyre ishin atje me leje apo pa leje! Nuk e bënte dot Shteti grek këtë punë?. Pronarët e punës së Sajmirit donin të vinin me këmbëngulje për të shoqëruar trupin e Saimirit në Shqipëri. Ambasada “jonë” nuk i lejoi! Pronarët këmbëngulën, në emër të humanizmit” - thotë Namik Larti ... Ndërsa neve që shkruajmë na jepet të themi se ku e gjetën humanizmin ata të Ambasadës së Ramiz Alisë?
Ndërkaq Namikut i kujtoheshin kërcënimet e enveristëve se të gjithë ata që rrëzuan monumentin e Enverit, do ta paguanin me kokë...Mos t’i harrojmë këta njerëz as sot, pavarësisht se disa prej tyre, që përfituan sa mundën nga demokracia, me xhepat plot dhe me fëmijët për bukuri jashtë shtetit, po na japin mendime “demokratcie”, madje po na quajnë edhe “komunistë”, për të maskuar ç’kanë bërë në proceset e para demokratike!
Titullari kryesor i Ambasadës nuk jepte asnjë sqarim dhe thoshte vetëm se “vdekja ka qenë natyrale” (!). Po përse kjo vdekje “natyrale” u shoqërua me mosinteresimin që binte erë, për gjetjen e një makine për ta prurë trupin në atdhe? Përse ky qëndrim ishte kryekëput i ndryshëm me raste të tjera vdekjeje të shqiptarëve, të cilësuar si “tanët”? Plasi një sherr, në saje të të cilit një emigrant, duke rrezikuar vazhdimësinë e qëndrimit në Greqi, ndonëse me dokumente të rregullta, sa s’e zuri për gryke enveristin, - thotë Namiku. Pronarët e ndershëm, pasi u penguan ta shoqëronin trupin, paguan makinën dhe të gjitha shpenzimet e tjera. Eugjeni dhe Katerina, këta pronarë të mirë, përmenden me mirënjohje nga babai fatkeq, Namiku. Këta shpjegojnë se tre veta, “bashkëkombës” , iu bënë miq dhe pinë kafe, së bashku, pas punës. Pas kësaj, Saimiri pati të vjella dhe ra në koma. Në filxhanin e Saimirit u gjetën gjurmët e arsenikut. Por atentatorët kishin çarë ferrën!
Ja ç’janë kameleonët komunistë!
* * *
Tani që po u vjen sërish vërdallë ngritja në këmbë e ligjit të lustracionit, këtë skotë keqbërësish e kanë zënë të prerat. Dihet se janë ata që e hodhën poshtë projektligjin e rrëzuar për pastërtinë e figurave. Ky ligj duhet të marrë parasysh edhe veprimtarinë kriminale të atyre që kanë shërbyer si mendimdhënës apo si sikarë të hakmarrësve ndaj personave të kurajshëm që e rrëzuan nga bazamentet , - siç bënë edhe për Stalinin,- monumentin e padenjë të stalinistit shqiptar, Enver Hoxhës. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës duhet ta ketë në konsideratë këtë mangësi të popullit shqiptar, sikur iu hap barku për këtë terrorist antikombëtar i cili, në emër të internacionalizmit proletar, ia shitur kombin Titos. T’u bëhet e qartë se çka bërë Edi Kristaq Rama në Pezë, që të kuptojnë përfundimisht sesa properëndimor është ky kryetar partie ad interim!