E Diel, 1 Nëntor 2026

Listat surprizë të socialistëve në qarqe

8-prill-Rama-www.ps_.al_Kur mbeten ende vetëm pak ditë nga zyrtarizimi i listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit, partitë janë në fazat e fundit të përpilimit të tyre.

Ndërsa në Partinë Demokratike pakkush ka informacion për emrat dhe vendndodhjen e kandidatëve, duket se selia rozë është në fazat e fundit të përcaktimit të kandidateve.

Ajo çka është vendosur dhe ka pak gjasa të ndryshoje janë emrat e parë në listë për 12 qarqet.

Top Channel ka mësuar emrat e atyre që do të udhëheqin listën e Partisë Socialiste, duke nisur nga kryetari Edi Rama, i cili do të kandidojë si i pari i listës së Partisë Socialiste në Vlorë.

Për Edi Ramën është një risi kandidimi për deputet, pasi asnjëherë nuk ka qenë i tille për shkak edhe të faktit se ka shërbyer për 11 vjet si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Presidenti i Asamblesë së PS dhe numri dy i partisë, Gramoz Ruçi, do të konkurrojë i pari në listën e Fierit, sikurse edhe katër vjet më parë.

Risia tjetër apo surpriza e këtyre listave do të jetë ajo që ka të bëjë me Qarkun e Tiranës. Pasi ka shërbyer prej vitit 1996 si deputet i Korçës, Pandeli Majko do të udhëheqë listën e PS në kryeqytet.

Ben Blushi, ai që udhëhiqte Qarkun e Korçës në 2009, do të jetë i pari i listës në Qarkun e Elbasanit.

Qarkun e Korçës në zgjedhjet e 23 qershorit do ta udhëheqë Bashkim Fino, ndërsa ende ka një dyshim se kush do të jetë i pari i listës në Gjirokastër.

Në këtë qark janë ende në balotazh Erion Veliaj me Arben Ahmetajn. Në Shkodër, listën do ta udhëheqë kandidatja më e re e prezantuar nga Edi Rama, profesoresha Mimoza Hafizi.

Ndërsa në Kukës, i pari do të jetë një tjetër prurje e re, e prezantuar pak kohë më parë nga Edi Rama, dhe që është Vexhi Muçmata.

Qarkun e Durrësit, edhe këtë herë do ta udhëheqë Blendi Klosi, ndërsa në Qarkun e Lezhës, e para e listës do të jetë deputetja Mimi Kodheli.

Deputeti Eduart Shalsi është ai që do të jetë i pari në listën e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Beratit, kurse Shkëlqim Cani, një nga zërat autoritarë në ekonomi do të jetë i pari i listës së kandidatëve socialistë për Qarkun e Dibrës.

Ditet e mbetura deri në skadimin e afatit zyrtar për regjistrimin në KQZ të listës së kandidatëve për deputetë do të shërbejnë për të kryer rregullimet e fundit, plotësimet, lëvizjet apo renditjet në lista, pasi përveç emrave që do të udhëheqin, janë mbyllur shumica e emrave që do të jenë në garë për Kuvendin e ri të Shqipërisë.

E ku duket se nuk do të mungojnë surprizat, qoftë me lëvizjet nga qarku në qark krahasuar me listat e 2009-ës, qoftë edhe me prurjet e largimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›