Berisha: Rama po përdor KQZ-në për të justifikuar humbjen. 3 deputetët e PS do jenë në listat e PD
Kryeministri Sali Berisha ka nisur që të shfaqet nga pesë herë në ditë përpara ekraneve të shqiptarëve. Pasi doli në mbledhjen e qeverisë, ku tha vetëm gjëra politike, Berisha doli në mbrëmje edhe në një konferencë të gjatë për shtyp.
Fillimisht, Berisha komentoi çështjen e ngërçit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ai tha se Rama e ka përdorur çështjen e komisionerëve për pazare politike.
Zoti Rama e përdori problemin e komisionerëve për pazar. Pazari më i shëmtuar ishte ai me Jani Janin. Pse e bën këtë? E bën për të hapur një vend në listat e deputetëve për kryetarin e partisë së Janit. Pra jo vetëm që nuk ka pasur dhe nuk mund të imagjinohet që të ketë asnjë lloj mendje të shëndoshe, por përkundrazi, i bëj thirrje zotit Rama tu japë fund këtyre lojërave në KQZ dhe të çojë anëtarët në KQZ, në detyrën e tyre, tha Berisha.
Berisha tha se Rama do e përdorë çështjen e KQZ-së si justifikim për humbjen e zgjedhjeve.
Po i humbi këto zgjedhje, nuk do e njohë rezultatin. Komisionerët i përdor si një mjet për të justifikuar humbjen dhe mosnjohjen e zgjedhjeve.
Ai po bën çmos të demonizojë një proces, të cilin askush nuk mund ta demonizojë.
Do apo nuk do Rama, do kemi zgjedhje të standardeve më të mira. Ligji do të zbatohet pikë për pikë, tha Berisha.
Kryeministri premtoi se listat zgjedhore të PD do të ndryshojnë, ndërsa foli për një marrëveshje me tre deputetët e PS-së, Gjovalin Kadeli, Asllan Dogjani dhe Kastriot Islami.
Cdo përpjekje për të prishur zgjedhjet është qesharake dhe donkishoteske. Rama kërkoi rrëzimin e qeverisë dhe formimin e qeverisë teknike, por ka një marrëveshje me 3 deputetë të PS që solli dështimin e përpjekjeve të Ramës, tha Berisha, dukë shtuar se ata do të jenë në listat e PD-së.
Listat do ti merrni vesh sapo të hartohen. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që listat e një legjislature të jenë të njëjta. Ka një frymë, kjo parti nuk jep asgjë tjetër përveç mirënjohjes së thellë për kontributin e secilit. Ka një marrëveshje dhe unë marrëveshjet i zbatoj. Kam një marrëveshje me tre deputetë të PS-së të cilët me qëllimin e tyre të përgjegjshëm ndaj vendit bënë të dështojë përpjekja e fundit e Edi Ramës për tu bërë kryeministër i pavotuar. Do mbetet në bankinë edhe për shumë kohë, tha Berisha.
Kryeministri u shpreh se uron që Rama të jetë në parlament në legjislaturën e ardhshme.
I ka filluar fobia e listës. Në 2009 nuk hyri kurrë në listë, tani, po e bën si me këtu aty. Sidoqoftë në krye, apo në mes të listës unë i uroj të gjejë një vend sepse nuk është shumë bindëse opozita që nuk ka kryetarin e saj në parlament. Dhe nuk është se unë, nuk e kam vuajtur mungesën e kryetarit të opozitës në parlament, por mandatin e ri të jetë në parlament. Sepse kjo sjell dëshirat e pakontrolluara të një serie të gjatë deputetësh që duan të paraqiten si kryeministra aty, dhe të paktën e dinë se e kanë aty kryetarin. Nuk dua tia di nëse do jetë në mes apo në krye të listët ai, por mjafton të jetë në parlament, tha Berisha.
Ndërkohë sa i përket tre ligjeve, Berisha tha se ata janë të gatshëm që të votojnë, por Rama e ka penguar miratimin e tyre.
Berisha komentoi edhe incidentin e Vjenës.
Unë tani preferoj që të qartësoj gjithçka por kemi komisioni hetimor. Ndonëse çdo ditë kanë dalë dëshmi të qarta të asaj që ndodhi, një gjë e sigurt është. Kontrolloni veshët kur dilni nga konferenca e tij e shtypit, qoftë edhe për provë, tha Berisha./ep