E Shtunë, 31 Tetor 2026

Literatura e Letërsisë vonon maturantët

Veprat që duhet të studiohen për provimin e lirimit, u ndryshuan në muajin shkurt

Maturantët kanë filluar të ankohen se Ministria e Arsimit u ka shkaktuar vonesa në përgatitjen e tyre lidhur me provimin e letërsisë. Ata tregojnë se literatura e programuar për letërsinë ka ndryshuar në muajin shkurt. Në një kohë kur sikundër pohojnë edhe vetë, ishin në fund të përgatitjeve me autorët dhe veprat e përcaktuara më parë. Ndaj një gjë e tillë, sipas të rinjve të shkollave të mesme, ka sjellë për ta një ngarkesë më të madhe, kur dihet se një vëmendje të madhe duhet t’i kushtojnë edhe përgatitjes për provimet e dy lëndëve me zgjedhje, të vlefshme për garën universitare.

Vetë mësuesit e letërsisë në shkollat e mesme të kryeqytetit pohojnë se, ardhja nga ministria e listës së re me veprat e autorëve, që mund të bien si pyetje në provimin e detyruar të lirimit, fillimisht shkaktoi çoroditje te nxënësit. Kjo për faktin se ata e kishin kaluar pjesën më të madhe të autorëve dhe veprave që prisnin të ishin si pyetje provimi.

Megjithatë, të gjithë nuk kanë humbur kohë dhe kanë nisur që të zbërthejnë veprat e reja të përcaktuara nga strukturat e Ministrisë së Arsimit për provimin e letërsisë.

Nga ana tjetër, të rinjtë që edhe për pak kohë do t’u nënshtrohen katër provimeve të maturës shtetërore, shprehen të shqetësuar duke thënë se e kanë të vështirë që të përfundojnë njohjen me të gjitha këto vepra dhe autorë. Nxënësit tregojnë se volumi është i madh, por koha po ngushtohet, duke i shtrënguar që të studiojnë më shumë.

Në AVA tashmë kanë mbërritur zyrtarisht listat e plota me të dhënat e maturantëve të këtij viti, si dhe të gjithë kandidatëve të tjerë nga maturat paraardhëse që duan t’i nënshtrohen garës për në universitetet publike në vend. Në rregulloren e maturës shtetërore 2010 thuhet qartë se çdo maturant/kandidat, pavarësisht nëse jep apo jo provimet e lëndëve me zgjedhje, plotëson dhe dorëzon Formularin A1 dhe A1Z në KSHMSh të shkollës ku ai caktohet, brenda datës 10 mars. Të dhënat dërgohen zyrtarisht brenda datës 31 mars në AVA.

Kreu i arsimit në vitin e katërt të maturës shtetërore është shprehur se këtë vit ndryshimet nuk do të jenë të mëdha. Ato konsistojnë veçanërisht në datat e zhvillimit të provimeve. Kështu, të katër provimet e fundit, dy të detyruarat dhe dy të lëndëve me zgjedhje, maturantët do t’i japin brenda muajit qershor. Në këtë mënyrë, ata do t’i kenë të gjitha rezultatet përpara se të plotësojnë Formularin A2 të zgjedhjes së degëve të preferuara. Kjo do t’u krijojë atyre edhe një shans më të madh për të përzgjedhur me objektivitet degët e universiteteve publike në vend. Ndërkohë që, përgjigjet për të katër provimet të rinjtë kanë mundësi që t’i marrin në mes të muajit korrik.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›