E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e parë në Lushnjë: Berisha ik!

Opozita nis sezonin e dytë të protestave për kutitë. Parulla për zgjedhje të parakohshme

Ka nisur nga qyteti myzeqar i Lushnjës “sezoni” i protestave të opozitës. Ashtu siç ishte deklaruar nga lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, prilli ka nisur me protesta për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Ky varg protestash që do të zhvillohet në të gjitha rrethet e vendit do të finalizohet me protestën e madhe të 30 prillit në Tiranë. Hapja e kutive dhe kriza ekonomike kanë qenë dy nga temat kryesore të protestës.

Opozitarët e Lushnjës janë mbledhur dje në 19.00 në qendër të qytetit, duke mbushur sheshin “Toka Jonë”. Të pranishëm në këtë protestë të parë të sezonit të radhës të protestave të PS-së kanë qenë tre deputetët e këtij rrethi: Bashkim Fino, Arben çuko dhe Fatos Tushe.

Fjala e hapjes është mbajtur nga sekretari organizativ i PS-së së Lushnjës, Shefqet Ahmetaj, i cili është edhe kryetari i komanduar për PS-në e qytetit pas dorëheqjes së Leonard Gogut, i cili doli kundër Edi Ramës pas zgjedhjeve të qershorit.

Ahmetaj, pas kërkesës për hapjen e kutive të votimit, është përqendruar te premtimi i pambajtur nga mazhoranca qeverisëse e sotme lidhur me kthimin e Lushnjës në prefekturë.

Më pas e ka marrë fjalën ish-kryetarja e këshillit bashkiak, e cila u largua nga ky post falë bashkimit të votave të LSI-së me PD-në. Ajo ka bërë edhe thirrjen për largimin e Kryeministrit aktual pasi, sipas saj dhe socialistëve, ai nuk ka mbajtur një sërë premtimesh, ndërkohë që ka vjedhur votën e lushnjarëve dhe të gjithë vendit.

Me thirrjen që Shqipëria nuk do të lejojë të kthehet në një Ruzhdie, deputeti Bashkim Fino ka thënë para protestuesve se tashmë Kryeministri i mashtrimeve të mëdha dhe i skandaleve të pamasa është në orët e fundit të tij. “Berisha dha klika e tij drejtuese nuk mund të hapë kutitë, pasi me cenimet që ai ka kryer i ka bërë ato kuti si kutia e Ruzhdies. Berisha nuk di dhe kurrë nuk do të dijë të bëjë zgjedhje të ndershme, pasi ai vjen si produkt i ’97-s. Berisha, familja e tij biologjike e politike janë duke ngrënë çorbën e gatuar mes mashtrimeve”, ka thënë Bashkim Fino.

Fino gjithashtu ka dhënë edhe ultimatumin e hapjes së kutive të votimit. I mbështetur nga ovacionet e pjesëmarrësve në protestë Fino i është drejtuar Kryeministrit të vendit Sali Berisha duke i thënë: “Largohu dhe hap kutitë, ose do të jetë populli opozitar që do të të largojë me çdo formë”.
Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku, i cili vetëm pak ditë pas nisjes së fushatës zgjedhore të 28 qershorit u largua nga LSI-ja për t’iu bashkuar PS-së, ka thënë se klanet e Berishës po dëmtojnë sot komunitetin e qytetit të Lushnjës. “Një ditë më parë është rrëzuar nga mazhoranca hibride PD-LSI projektbuxheti i bashkisë. Kjo mazhorancë, me pretendime të kota e ka rrëzuar këtë buxhet duke shënuar braktisjen e radhës të popullit lushnjar”.

Jo vetëm në fjalimet e të pranishmëve, por edhe te pankartat që mbanin në duar protestuesit kërkohej largimi i Kryeministrit dhe hapja e kutive. Madje janë kërkuar edhe zgjedhjet e parakohshme.

Disa nga parullat thoshin: “Lushnja po penalizohet”, “Berisha largohu”, “Zgjedhje të parakohshme”, “Berisha, mister kriza”, “Berisha fatkeqësia jonë” etj.

Përveç kërkesës për hapjen e kutive, protesta e Lushnjës ka pasur një karakter ekonomik, si dhe kërkesën e kthimit të shumë shërbimeve në këtë qytet. Bëhet fjalë për kthimin e shërbimit të marrjes së patentave, të zyrës së arsimit, të tatimeve, të shëndetësisë etj., shërbime këto që vetëm 10 ditë kanë që janë transferuar në Fier.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›