Liverpooli shkatërron Newcastlen
Skuadra e Liverpoolit ka shënuar fitore të thellë prej 5-1 si mysafir i Newcastle, duke përforcuar pozitën e parë në tabelë para Vitit të Ri. Serinë e golave e filloi kapiteni Steven Gerrard (31'), i cili pranoi një pasim të Benayoun për ta mposhtur portierin Given. Pesë minuta më vonë mbrojtësi Sami Hyypia dyfishoi epërsinë, me ç'rast asistues ishte Gerrard.
Pa përfunduar pjesa e parë (45'+1) vendasit ngushtuan epërsinë në 2-1 pas një goli me kokë të David Edgar. Porsa filloi pjesa e dytë (50'), pas një topi të kapitenit të Liverpoolit, Steve G, më së miri para portës kundërshtare u gjet Ryan Babel, i cili shtoi epërsinë në 3-1. Ishte sërish njeriu i ndeshjes, simboli i Të Kuqve, Steven Gerrard, lojtari i cili shënoi golin e katërt për Liverpoolin dhe të dytin personal (66'). Në minutën e 76-të u akordua një penallti në favor të skuadrës mysafire, të cilën e shndërroi në gol Xabi Alonso, për ta vendosur rezultatin përfundimtar, 5-1 në favor të Liverpoolit.