Liverpuli fiton Kupën e Ligës Angleze

Veprimtaria e tretë e futbollit anglez, Kupa e Ligës, ka luajtur të dielën aktin e fundit të këtij sezoni, finalen e madhe, ku janë vënë përballë Çelsi dhe Liverpuli. Siç dihet, kjo veprimtari është një nga ekskluzivitetet madhore sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që ka sjellë të gjitha përballjet e spikatura të këtij sezoni, duke kulmuar me përballjen e madh të së dielës në mbrëmje, që erdhi drejtpërdrejt nga stadiumi mitik i “Uemblit”.
Në fakt, pjesa e parë e kësaj përballjeje ka qenë e karakterizuar nga mbizotërimi për periudha të caktuara nga secila skuadër, me Çelsin që rrezikon fillimisht me anë të Pulishiçit në minutën e 6-të, por pret portieri i Liverpulit. Të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop do ta zhvendosin lojën në gjysmëfushën e bluve londinezë, duke patur edhe një rast mjaft të mirë për shënim pas një gjysmë orë, por Sadio Mane shpërdoron.
Çerekora e fundit do të shohë Çelsin më kërkues, duke rrezikuar në dy raste, sidomos në fund të pjesës së parë me Mejson Mauntin, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Kështu, me rrjeta të paprekura do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të shohë sërish Çelsin më të rrezikshëm dhe është Pulishiç që në mënyrë të pabesueshme gjen shtyllën e djathtë pingule të portës së Liverpulit.
Loja do të vijojë me të njëjtën tablo të pjesës së parë edhe në atë të dytë dhe të dyja skuadrat do të gjejnë edhe golin, por që do të anulohet në të dyja rastet për pozicion jashtë-loje. Ka qenë fillimisht Matip që ka realizuar për Liverpulin në minutën e 67-të, ndërsa 10 minuta më pas, rrjetën e ka përshëndetur edhe Çelsi, por në të dyja rastet, është sinjalizuar nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) për pozicion jashtë loje.
Çerekora e fundit e lojës do të jetë e ethshme, por asnjë skuadër nuk do ta gjejë dot golin, duke bërë që gjithçka t’u drejtohet dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila. E para është mbyllur gjithashtu me rrjeta të paprekura, ashtu sikundër do të ndodhë edhe në atë të dytën, ndonëse Çelsi e gjeti një tjetër gol, por edhe ai u anulua për pozicion jashtë loje.
Kështu, gjithçka ka shkuar në goditjet e 11-metërshve, aty gjithçka ka shkuar deri në fund, në goditjen e 11-të, që është gabuar pikërisht nga portieri i bluve të Londrës, Kepa, i cili mbahej në fakt si elementi fatsjellës i Çelsit.