Tronditëse, Shqipëria mundet nga Luksemburgu

Tronditëse! Shqipëria në basketboll për meshkuj e ka humbur ndeshjen me Luksemburgun në transfertë, e vlefshme kjo për paraeliminatoret e Kampionatit Europian 2025, ndërsa kështu ia ka ulur të gjitha shanset vetes për të shpresuar që të kalojë në raundin tjetër. Sërish i njëjti fenomen si në transfertën rumune. Starti i mirë e më pas rënie e shoqëruar kjo dhe me nervozizëm pasojë e së cilës ishte dhe ndëshkimi me gabime teknike.
Gjithçka ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, teksa kuqezinjtë kanë rënë preh e provokimit të kundërshtarëve, veprime që në fakt nuk janë ndëshkuar nga gjyqtarët, që mbetet më pas në ndërgjegjen e tyre për atë që kanë marrë vendim gjatë lojës. Kuqezinjtë e kanë nisur mirë ndeshjen, ndërsa kanë fituar periodën e parë 21-26.
Mirëpo Luksemburgu rrit presionin dhe si rrjedhojë arrin të përmbysë. 27-15 perioda e dytë për vendësit dhe në total 48-41. Fillimisht stoli i rezervave dhe më pas Hysenagolli e dy ndëshkime me gabime teknike që ndikojnë në lojën tonë. Edhe në periodën e tretë vjen një ndëshkim për Daniel Lekndreajn në një kacafytje me lojtarin luksemburgas, që mori po të njëjtën masë ndëshkimore nga gjyqtarët. 21-14 perioda e tretë dhe Luksemburgu thellon në 69-55.
E fundit 17-20, veçse nuk e shmang humbjen, që është në shifrat 86-75. Tanimë kuqezinjtë do të rikthehen në 3 korrik në fushën e lojës, ndërsa do të presin Rumaninë për të mbyllur këtë fushatë të paraeleminatoreve të Kampionatit Europian 2025, teksa për momentin kemi një fitore dhe dy humbje.