Liverpuli në shitje, “Reds” te arabët

Liverpuli është në shitje. Manjatët amerikanë Hicks dhe Gillet po përgatiten ta shesin klubin te një konsorcium të kontrolluar nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Për gazetën britanike "Times", transferimi i pronësisë mund të kryhet në përfundim të sezonit futbollistik. Tratativat po njohin një zhvillim të shpejtë pasi dhe kontaktet midis Hicks dhe drejtuesve të "Dubai International Capital" janë më të shpeshta. Hicks dhe Gillet e blenë Liverpulin për 220 milionë sterlina në janar të vitit 2007 dhe tani dëshirojnë ta shesin për një shumë më të madhe, e cila sipas "Times" është rreth 400 milionë sterlina, të cilat do të mbulonin borxhet prej 350 milionë sterlina që kanë dy manjatët amerikanë. Manjati amerikan ka për qëllim të shesë 50 për qind të aksioneve të tij në muajin mars. Në muajt e ardhshëm do të fillojnë edhe tratativat me Gillet.
Tifozët e Liverpulit nuk kanë qenë kurrë dakord me shitjen e klubit legjendar anglez, madje iniciuan edhe një nismë për të grumbulluar një shumë për të blerë skuadrën. Dy bosët amerikanë kanë pasur vazhdimisht marrëdhënie jo të afërta me trajnerin Rafa Benitez, madje Hicks i ofroi Jurgen Klinsmanit edhe punën e trajnerit në fund të sezonit në vend të spanjollit.
Në Ligën e Kampionëve, Liverpuli fitoi 2-0 me Interin në ndeshjen e parë të 1/8 dhe i ka të gjitha mundësitë për të kaluar në cerekfinale. Liverpuli ndodhet për momentin në vendin e pestë në Premier Ligë, me tri pikë më pak se Evertoni, por edhe me një ndeshje më shumë për të luajtur. Nga Anglia marrin pjesë katër ekipet e para në Ligën e ardhshme të Kampionëve.