Llapashtica përforcon Drenicën?

I pari që mund të zbarkojë në stadiumin ‘Bajram Aliu’ në Skenderaj, është mbrojtësi vushtrrias, Fitim Llapashtica, i cili sezonin e fundit ka mbrojtur ngjyrat e FC Prishtinës, me të cilin ekipi fitoi titullin e kampionit.
“Jemi në bisedime me Fitim Llapashticën, me të cilin kemi edhe një takim dhe 99 për qind ai do të jetë futbollist i Drenicës”, ka thënë kryetarja e Drenicës, Mihane Kadriu –Bekteshi për Express.
Numri një i ekipit kuqezi ka bërë të ditur se janë shumë afër të vazhdojnë kontratën edhe me ish-mesfushorin e disa skuadrave kosovare dhe maqedonase, Faruk Statovcin. Rrugën e Statovcit pritet ta përcjellë edhe i riu Lorik Maxhuni, të cilit po ashtu i ka skaduar kontrata me Drenicën. Kjo e fundit, sezonin e kaluar e ka përmbyllur në vendin e shtatë, me 46 pikë të tubuara.