Llatja: Rindërtimi i shkollës së Treganit, kushte më të mira për 150 nxënës

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Punimet për rindërtimin e shkollës së Treganit, në Elbasan, janë drejt përfundimit.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja inspektoi punimet në këtë shkollë, një objekt që u shemb plotësisht gjatë tërmetit të vitit 2019.
Pas një periudhe të gjatë punimesh, rindërtimi i shkollës është duke përfunduar, duke sjellë një ndërtesë të re dhe moderne, që do të shërbejë për rreth 150 fëmijë të fshatit, si dhe për banorët e zonës.
Ky projekt ka qenë një kërkesë e banorëve të zonës, të cilët kanë theksuar nevojën për ndërtimin e një shkolle të re, që do të ofronte kushte më të mira dhe do të kontribuonte në zhvillimin e përgjithshëm të komunitetit.
Kryebashkiaku Llatja theksoi se ky rindërtim ka pasur disa sfida teknike dhe gjeologjike, për shkak të kushteve të veçanta të territorit dhe strukturës së shkollës së vjetër.
Ai shtoi se prioriteti kryesor ka qenë sigurimi i një strukture të qëndrueshme dhe krijimi i kushteve të përshtatshme për fëmijët.
“Falënderoj Ministrinë e Arsimit për mbështetjen në këtë projekt, i cili përfshin jo vetëm shkollën 9-vjeçare, por edhe kopshtin e Treganit, duke e bërë këtë objekt një qendër të vërtetë komunitare për fshatin dhe Njësinë Administrative,” u shpreh Llatja.
Shkolla e re do të ofrojë kushte të përmirësuara për mësim dhe aktivitete edukative. Ajo ka një sipërfaqe prej rreth 1500 m². Përveç klasave, ajo do të ketë edhe një palestër moderne, e cila do të shërbejë si qendër komunitare për fshatin.
Shkolla e Treganit është një ndër projektet kyçe për zhvillimin e zonës, duke shfrytëzuar potencialin turistik të ujërave termale të Elbasanit dhe duke kontribuar në forcimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale.
Përfundimi i punimeve është i afërt duke hapur dyert për një vit të ri shkollor, i cili do të ofrojë mundësi më të mira për fëmijët dhe do të shërbejë si një qendër e re komunitare për Treganin.
1 nga 5/k.s/j.p/