Lleshaj: Dorëheqja dimension moral, fryma e policisë ka qenë profesionalizmi

“Ata që drejtuan gishtin kundër meje bënë 21 janarin”, deklaroi sot ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një intervistë televizive, ndërsa deklaroi se dorëheqja e tij ka një dimension moral. Ai theksoi se u vra një djalë i ri padrejtësisht dhe ka tension politik.
Lleshaj deklaroi sot se dorëheqja është një akt moral i rëndësishëm dhe merret atëherë kur ndërgjegjja arrin në përfundimin që duhet bërë ky akt. “Këtë përfundim unë e kam arritur herët, siç e tha dhe Kryeministri, por sot arrita ta finalizoj”, u shpreh Lleshaj.
Ai u shpreh se e kishte marrë vetë vendimin e dorëheqjes.
“Kjo dorëheqje ka disa dimensione. Së pari, ka një dimension human. Kemi një djalë të ri të vrarë padrejtësisht nga një punonjës i policisë. Së dyti ka një tension politik. Unë dua të distancohem nga një praktikë e shëmtuar e drejtimit të gishtit për çdo gjë që ndodh në mënyrë të padrejtë nga ata që nuk kanë të drejtë të ngrenë as gishtin e as dorën. U bënë disa ditë se disa persona të cilët kanë përgjegjësi për shumë tragjedi të këtij vendi kanë ngritur gishtin kundër meje dhe policisë dhe dorën kundër policisë dhe institucioneve të shtetit, ndërkohë u mungon e drejta morale për ta ngritur për sa kohë provohet se janë të lidhur me barrë shumë të rënda dhe i kanë lënë vendit 21 janarin”, theksoi Lleshaj.
“Unë e kam bërë dorëheqjen për t’u thënë atyre unë nuk jam si ju. Edhe se s’kam asnjë përgjegjësi drejtpërdrejt me ngjarjen, por e jap dorëheqjen si gjest politik. Ata thanë Lleshaj të japë dorëheqjen, tani do shohim çfarë do thonë ata”, tha Lleshaj.
Ai shtoi se dorëheqja është shenjë respekti ndaj qytetarëve të gjithë spektrit politik të vendit dhe për të theksuar se dorëheqja duhet të jetë akt normal i çdo politikani në këtë vend.
Lleshaj u shpreh se kemi patur artikulime të politikanëve të opozitës që në mënyrë të paturpshme kanë ngritur gishtin e akuzës duke dhënë që përgjegjësin e vrasjes e ka Ministri i Brendshëm, duke iu referuar protestave të dhunshme ku u kërkua dorëheqja e tij.
“Përfaqësuesve të opozitës u them sot, se ministri i Brendshëm nuk ka asnjë përgjegjësi drejtpërdrejtë me vrasjen, megjithatë ministri e ka kurajën qytetare dhe politike të jap dorëheqjen për këtë që ka ndodhur, për këtë incident të ndodhur natën nga një polic, ndërkohë ata nuk janë shkëputur nga 21 janari, e kanë mbrojtur 21 janarin, nuk kanë lejuar arrestimin që prokuroria kërkoi, ende sot e justifikojnë si akt të drejtë”, tha ai.
Lleshaj u shpreh me përgjegjësi të plotë se Policia Shqiptare është një ndër policitë më të përmbajtura në kontinet përsa i përket menaxhimit të protestave dhe të dhunës.
“Nëse ju jepni raste, unë mund t’ju sjell raste nga policitë e Europës, në Itali, Francë, Gjermani ku policia përdor forcën fizike në rastet kur kjo duhet. Sigurisht kjo nuk përjashton raste sporadike kur punonjës policie kapërcejnë limitet e përdorimit të forcës”, tha ai
Lleshaj shtoi se për gjatë periudhës që ka qenë në detyrë, ka patur rritje të profesionalizimit të Policisë së Shtetit, rritje të kapaciteteve të saj. “Sigurisht, Policia e Shteti ka patur sfida të jashtëzakonshme përgjatë kësaj kohe sepse është përballur me një furi sulmesh politike të cilave është iu është përgjigjur me profesionalizëm”, theksoi Lleshaj.
“Fryma e policisë në këto vite ka qenë profesionalizmi i saj, rritja e kapaciteteve, lufta intensive kundër krimit. Shqipëria sot ka më pak frike, më pak banda më pak aksidente, më pak të vrarë. Fryma është pozitive. Ne nuk na duhet një polici e paaftë për të bërë asgjë”, përfundoi ish-ministri Lleshaj.