Topalli: Fragmentarizimi i së djathtës për shkak të politikës përçarëse të Bashës

“Fragmentizimi i së djathtës ka ardhur për shkak të politikës së përçarjes së Bashës”, tha sot ish-nënkryetarja e PD-së dhe kryetarja e “Lëvizjes për Ndryshim”, Jozefina Topalli, në një intervistë televizive, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e krijimit të një poli të ri të së djathtës.
“Në vendin tonë shqiptarët kanë humbur besimin ndaj çdo institucioni. 90% e shqiptarëve besojnë që forcat aktuale politike janë të korruptuara. 79% e tyre mendojnë se parlamenti është i korruptuar, se drejtësia është e korruptuar dhe se media ka probleme thelbësore”, u shpreh Topalli.
Sipas saj, ajo që po ndodh është mungesa e besimit të përfaqësimit me një ekonomi e cila ka rrëshqitur dhe sjellë pasiguri, një popullsi që mplaket dhe një vend që boshatiset.
Në lidhje me bashkimin e së djathtës, Topalli tha se fragmentizimi i së djathtës është një problem i madh që ka ardhur për shkak të politikave të përçarjes së lidershipit aktual, ndaj dhe janë krijuar këto forca të reja politike. “Unë besoj se do dinë që të gjejnë kompromisin dhe do gjejnë negociatat për t’u bashkuar”, u shpreh ajo.
Topalli u shpreh se “do bashkohemi me Murrizin, Patozin, Topin dhe çdo parti që është kundër tre kryetarëve”.
“Në do jemi sërish bashkë dhe do të diskutojmë, por në parim është gjëja më normale të mendosh të bashkosh ata poshtë një herë po pse jo dhe këta që janë në krye të forcave të reja politike”, tha ajo
Në lidhje me pyetjen së nëse humb PD më 25 prill, çfarë ndodh me opozitën, Topalli tha se nisur nga historia e këtyre tetë viteve “do shpikin një justifikim të ri humbjeje ose do shkojnë në një qeverisje bashkë me Ramën. Pastaj do mumifikohen me njëra-tjetrën”. /