E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lleshi: KQZ garanton çdo shtetas të ushtrojë të drejtën e votës, media e lire të bëjë punën e saj

TIRANE – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh për të diskutuar problematikën e ndarjes së materialeve zgjedhore. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti deklaroi se KQZ të zbatojë vetëm ligjin për çdo problematikë që do të vërehet.

Ndërkohë kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, theksoi se institucioni që ajo drejton garanton çdo shtetas që të ushtrojë të drejtën e votës të dielën.

"KQZ garanton çdo shtetas që të ushtrojë të drejtën e votës ditën e votimit. Për këtë nuk ka asnjë dyshim, pasi infrastruktura e përgatitur për këtë qëllim nga Komisioni është në kohën e duhur, në kohë reale. Ajo që të gjithë duam është që faktorët politikë, njësoj si KQZ, të jenë të përgjegjshëm në lidhje me procesin zgjedhor", - tha kryetarja Lleshi, një ditë para zgjedhjeve të reja parlamentare.

ZGJEDHJET-KQZ: MEDIA E LIRË TË BËJË PUNËN E SAJ 
"Media është e lirë të bëjë punën e saj gjatë zgjedhjeve, edhe pa pasur akreditimin zyrtar nga KQZ", u shpreh po sot kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, gjatë mbledhjes së radhës së Komisionit.
Nisur nga një lloj konfuzioni i krijuar nga numri i madh i kërkesave për akreditim, në rastin e përfaqësuesve të medias, kryetarja Lleshi tha sot se asgjë nuk e pengon median të kryejë detyrën e saj gjatë procesit zgjedhor.

"Kemi pasur shumë kërkesa për akreditim edhe nga mediat. Por, kjo nuk do të thotë që edhe ato që nuk janë të akredituar të përjashtohen nga monitorimi pranë qendrave të votimit. Kjo është një cilësi që buron jo vetëm nga kodi zgjedhor, por dhe nga ligje të tjera. Edhe ai që nuk është i akredituar pranë KQZ-së me cilësinë e gazetarit ka të drejtë të kërkojë të vëzhgojë procesin", tha znj. Lleshi.
"Media kudo është e lirë dhe nuk ka nevojë të kërkojë leje për të bërë punën e saj. Sa i takon ushtrimit të lirë të profesionit të tyre, gazetarët nuk i pengon asnjë ligj", tha ajo.

(d.b/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›