E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukan: Fati i zgjedhjeve varet nga reagimi i forcave politike pas tyre

TIRANE-Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim delegacionin ad-hoc të Parlamentit Europian i kryesuar nga Eduard Kukan, Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën.

Sipas zyrës për shtyp të Presidentit, zoti Kukan garantoi se Parlamenti Europian, delegacioni i të cilit është politikisht shumë i balancuar mbështet, inkurajon dhe ndihmon në vijimësi Shqipërinë në këtë proces shumë të rëndësishëm elektoral, por i mëshoi faktit se faktori bazë mbetet ai shqiptar.

Parlamentari europian vlerësoi si shumë të rëndësishme që pas një fushate zgjedhore relativisht të qetë, reagimi i forcave politike pas zgjedhjeve mbetet shumë i rëndësishëm për fatin e tyre.

Presidenti Nishani pas shkëmbimeve të mirëseardhjes e vlerësoi praninë e Delegacionit të Parlamentit Europian në Shqipëri si shprehje të vlerësimit, përkujdesjes dhe partneritetit që ky institucion dhe të gjithë institucionet e Bashkimit Europian tregojnë për Shqipërinë dhe për procesin e integrimit europian të saj, duke shtuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet objektivi strategjik i vendit tonë, suksesi i të cilit bazohet para së gjithash në vullnetin e palëkundur të qytetarëve shqiptarë, të cilët e shohin arritjen e këtij objektivi si një mënyrë të sigurtë që institucionet shqiptare të arrijnë standardet europiane dhe të ofrojnë shërbime të këtyre standardeve.

Presidenti Nishani vijoi më tej se zgjedhjet janë momenti më i rëndësishëm i demokracisë funksionale kur qytetarët e kanë pushtetin në dorë duke vënë në dukje se kjo fushatë zgjedhore është bazuar përgjithësisht në paraqitjen e programeve dhe jo në sulme individuale, e për rrjedhojë mund të cilësohet si më e mira. Kreu i Shtetit u shpreh besimplotë se përqasja e politikanëve pas zgjedhjeve do të jetë e njëjtë me atë të qytetarëve shqiptarë, të cilët me sjelljen e tyre po tregojnë një pjekuri që garanton suksesin e zgjedhjeve.

Presidenti Nishani nënvizoi gjithashtu se infrastruktura ligjore, kapacitetet infrastrukturore si lista elektronike e votuesve, dokumentet e identifikimit, numërimi transparent dhe ndihma e faktorit ndërkombëtar janë faktorë shumë të rëndësishëm dhe vendimtarë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardeve europiane.

Më pas ishte Kukan që vlerësoi paraqitjen e detajuar të situatës nga Presidenti Nishani.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›