E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lleshi, një dosje me abuzime

Një dosje me mal abuzimesh, të kryera nga gjyqtari i shkallës së parë të Matit, Murat Lleshi, është bërë publike dje në emisionin "Fiks Fare".

Gjyqtarin Murat Lleshi e kërkuam dy ditë më parë në Burrel, për të marrë një përgjigje mbi të gjitha abuzimet që ndodhen në dosjen e mbërritur në "Fiks Fare", por ai u përgjigj me dhunë, duke aksidentuar rëndë gazetarin e emisionit Ksenofon Ilia.

Qytetarë, të cilët janë cenuar nga vendimet e padrejta, të dhëna nga gjyqtari Lleshi, prokurorë, bashkëfshatarë të tij, madje edhe prefekti i Qarkut të Dibrës, ku nuk kanë shkuar dhe ku nuk e kanë ngritur zërin për një mal me abuzime. Por gjithmonë gjyqtari Lleshi dilte pa lagur, gjithmonë siguronte dokumente në favor të tij.

Ura e Urakës

Banorët e Komunës Rukaj u lodhën duke protestuar. Prefekti i Dibrës, zoti Xhafer Seiti u lodh duke kërkuar ndihmën e ministrit të Brendshëm dhe kryeregjistruesit të Republikës së Shqipërisë për të sqaruar çështjen e pronësisë së çuditshme të gjyqtarit Lleshi mbi 6500 metra katrorë të liqenit të Ulzës. Askush nuk urdhëron dot vazhdimin e punimeve për ndërtimin e urës në Komunën Rukaj. Gjyqtari Lleshi nuk pranon. Fundja, fundit është pronar edhe i liqenit.

Në kërkesat e tij zyrtare, prefekti i Dibrës kërkon të sqarohet problemi i pronësisë që po pengon vazhdimin e projektit për ndërtimin e urës që lidh fshatin Urakë e më gjerë, me rrugën nacionale, si dhe fshatra të tjerë të kësaj komune e të komunave Macukull e Derjan. Gjithashtu, prefekti ka vënë në dijeni ministrin e Brendshëm dhe kryeregjistruesin e vendit se nga takimet që ka zhvilluar me përfaqësues të zonës, është këmbëngulur vazhdimisht se pronësia e gjyqtarit Lleshi mbi tokën është krijuar në rrugë të paligjshme. Por asnjë institucion nuk ka kthyer përgjigje deri më sot, ndërkohë që investimi është bllokuar, 20 mijë banorë të zonave komunikojnë më njëri-tjetrin nëpërmjet një pasarele me dërrasa të kalbura, që rrezikon çdo ditë jetën e kujtdo që kalon mbi të.

Gjyqtar me precedentë penalë

Denoncimi i gazetarit të "Fiks Fare" nuk është kallëzimi i vetëm ndaj gjyqtarit të Matit, Murat Lleshi. Më 18.07.2006, një tjetër procedim penal është regjistruar kundër tij. Dy banorë të Dibrës kanë denoncuar gjyqtarin Lleshi, sepse me vendimin e gjykatës nr. 14, datë 20.04.2006, ai ka lëshuar "Urdhrin e ekzekutimit" për vendimin me nr. 3. datë 28.02.2006 të Komisionit të Kthimit të Pronave të Dibrës, në një kohë kur ky vendim nuk kishte marrë formë të prerë, pasi nga kallëzuesit ishte bërë ankesë në Komisionin Shtetëror të Kthimit të Pronave në Tiranë. Por askush nuk e vuri ujin në zjarr për këtë shkelje, për të cilën Kodi Penal parashikon 3-10 vjet heqje lirie. Çështja penale e hapur ndaj tij u mbyll.

Dha amnisti ilegalisht

Një tjetër shkelje ligji nga ana e gjyqtarit Murat Lleshi ishte vendimi nr. 04 i datës 15 janar 2007, me të cilin pushoi çështjen penale në ngarkim të të pandehurit A.Koca për shkak të amnistisë. Por ligji për amnistinë nuk kishte hyrë në fuqi në momentin e dhënies së vendimit të mësipërm nga gjyqtari Lleshi, pasi nuk ishte botuar akoma në Fletoren Zyrtare. Kjo është konstatuar nga Gjykata e Apelit në Tiranë, në vendimin e saj nr. 378, 16 maj 2007, ku citohet: "Gjykata e Shkallës së Parë ka gabuar që ka zbatuar Ligjin 9678 dt 13.01.2007 për dhënie amnistie, pasi në kohën kur është dhënë ky vendim, ligji nuk kishte hyrë në fuqi dhe gjykata nuk mund ta zbatojë atë para se ligji të hyjë në fuqi".

Vendimet e dyshimta

Mes shumë vendimeve të dhëna nga ky gjyqtar, po shkëpusim dy prej tyre. Është një i pandehur i moshës 60-vjeçare, H.Brozi, i akuzuar për "kanosje e armëmbajtje pa leje". Për shkak të moshës dhe rrezikshmërisë së pakët ishte lënë në gjendje arresti shtëpie, ndërsa gjyqtari Murat Lleshi e dënoi me dy vjet heqje lirie. Gjykata e Apelit e ndryshoi vendimin e dhënë nga gjyqtari Lleshi dhe e dënoi të pandehurin 60-vjeçar vetëm me kohën e paraburgimit.

Gjyqtari Lleshi, për raste analoge dhe përsëritëse, ka dhënë masë dënimi tepër të butë, siç ishte rasti i të pandehurit 19-vjeçar E.Muçe, i cili me vendimin nr. 62, datë 05.07.2006, i akuzuar për "kanosje e armëmbajtje pa leje", u dënua me 5 muaj e 10 ditë burg.

Inspektorati i KLD-së ka hetuar dosjet e gjyqtarit Murat Lleshi, por askush nuk e di se ç‘masë disiplinore është propozuar apo marrë ndaj tij ndonjëherë.

Një shtetas, i cili i kërkonte gjyqtarit Lleshi të pushonte çështjen e ngritur prej tij, kërkesë e ligjshme kjo, arriti të sigurojë pushimin e çështjes pas 3-4 seancash, sepse gjyqtari Murat Lleshi i shtynte ato. Qytetari Sh.Kuka u ankua pranë kryetarit të Gjykatës së Matit për Lleshin, duke pretenduar se ai e kishte fyer. Madje, ky shtetas u pyet edhe nga një inspektor i KLD-së, pas ankesës në këtë institucion, por gjyqtari Lleshi edhe kësaj radhe e mbylli problemin.

Vilë në oborrin

e prokurorisë

Gjyqtari Murat Lleshi ka ndërtuar një vilë në oborrin e Prokurorisë së Matit. Në të njëjtin oborr, brenda të njëjtit rrethim me kangjella hekuri, ndodhet ndërtesa e Prokurorisë së Matit dhe një vilë dykatëshe, me papafingo, pronë e gjyqtarit Murat Lleshi. Nëse nuk e di historinë mendon se vila luksoze është pjesë ose aneks i Prokurorisë së Matit, por nëse pyet drejtuesit e kësaj prokurorie mëson se ajo është vila e gjyqtarit Murat LLeshi. Organi i akuzës i ka duart e lidhura dhe nuk mund të hapë asnjë proces gjyqësor për të detyruar gjyqtarin Lleshi të lirojë oborrin e organit të akuzës, sepse edhe vetë ndërtesa e prokurorisë nuk figuron e regjistruar në hipotekë. Por nëse shkon dhe pyet në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se si figuron ky ndërtim në oborrin e Prokurorisë së Matit merr përgjigjen: "Okupim dhe ndërtim pa leje". Si gjithmonë, gjyqtari i ka kopsitur dokumentet dhe ka siguruar edhe leje të vjetër ndërtimi. Askush nuk e kupton si mund të jetë miratuar një leje ndërtimi për banesë dykatëshe brenda oborrit të prokurorisë. Megjithatë, në hipotekë trualli rezulton i zënë forcërisht.

Inspektorë të KLD-së në Gjykatën e Matit për dosjet e Lleshit

Spahiu dënon dhunën ndaj gazetarit të "Fiks Fare"

Një grup inspektorësh nga KLD-ja janë nisur drejt Gjykatës së Rrethit të Matit, me qëllim verifikimin e të gjitha dosjeve të gjyqtarit Murat Lleshi. Nëse konstatohen parregullsi procedurale, atëherë ndaj gjyqtarit në fjalë priten masa ndëshkimore, deri në propozim për largim nga puna. Ndërkohë, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka reaguar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj gazetarit të "Fiks Fare" nga gjykatësi i Burrelit, Murat Lleshi. "Është një ngjarje shumë e shëmtuar që cenon imazhin e pushtetit gjyqësor dhe marrëdhëniet e pushtetit të tretë me atë të katërt. Jemi të vendosur për të rregulluar raportet e pushtetit gjyqësor me atë të medias", është shprehur Spahiu. Ai ka deklaruar se çështja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Lezhës për të pasur një hetim sa më të paanshëm të ngjarjes. "Kam qenë në mbledhje deri në orët e vona për të pasur një panoramë më të gjerë të asaj ngjarjeje. Kam mësuar se nga Prokuroria e Burrelit, çështja do të kalohet në atë të Lezhës për shkak të kompetencave, si dhe për të bërë një hetim sa më të paanshëm. Do të jemi në monitorim të vazhdueshëm", pohoi Spahiu. Ai shtoi se "KLD është i vendosur për të treguar dorën e hekurt ndaj çdo gjyqtari që cenon figurën e gjyqësorit. KLD do të garantojë një proces të rregullt gjyqësor mbi këtë konflikt. Ne kemi qenë që gjyqtarëve t‘u kufizohet imuniteti që ata jenë të barabartë para ligjit", theksoi Spahiu. s.ç

Solidariteti

Gazetarët

dënojnë dhunën

Unioni i Gazetarëve reagoi për dhunimin e gazetarit të "Fiks Fare" nga gjykatësi i Burrelit, Murat Lleshi. "Solidarizohemi me kolegun dhe kërkojmë hetim të ngjarjes", thanë përfaqësuesit e Unionit. Edhe Unioni i Gazetarëve të Rajonit Gjirokastër denoncoi aktin e dhunshëm të ushtruar ndaj gazetarit të emisionit "Fiks Fare" në "Top Channel" Ksenofon Ilia, nga gjykatësi i Burrelit, Murat Lleshi dy ditë më parë. Gazetarët e Gjirokastrës e konsiderojnë këtë një akt të papranueshëm që ushtrohet ndaj fjalës së lirë dhe objektivitetit që përcjellin njerëzit e medias në Shqipëri. "Rasti në fjalë merr trajta alarmante kur dhuna ka për autor një gjyqtar, i cili duhet të japë shembullin e trajtimit të çështjeve me objektivitet jo vetëm brenda sallave të gjykimit", theksohet në deklaratën e Unionit të Gazetarëve të Gjirokastrës. Në këtë deklaratë kërkohet nga kreu i KLD-së dhe përfaqësues të tjerë të këtij institucioni, marrja e masave ndaj dhunuesit të gazetarit Ksenofon Ilia dhe ndëshkimin e autorit në bazë të ligjeve në fuqi.

Burrel

Përjashtohet

nga çështjet

penale

Gjyqtari i Gjykatës së Matit, Murat Lleshi, i cili dhunoi gazetarin e "Fiks Fare", Ksenofon Ilia, është përjashtuar nga gjykimi i çështjeve penale në këtë gjykatë. Dje, sipas grafikut të kësaj gjykate, gjyqtari Lleshi ka qenë pjesë e trupit gjykues për çështjen në ngarkim të ish-policit Arjan Dauti, i cili akuzohet për tentativë përdhunimi të dy vajzave të mitura. Prokurori i rrethit të Matit, Sabri Kastrati, që ka kërkuar largimin nga trupi gjykues të gjyqtarit Murat Lleshi, i cili reagoi dhunshëm ndaj gazetarit të "Fiks Fare", Ksenofon Ilia. Kërkesa e prokurorit për përjashtimin nga trupi gjykues të gjyqtarit Lleshi erdhi pasi ndaj tij është bërë kallëzim penal nga gazetari i "Fiks"-it për dhunën e ushtruar. Në këto kushte, trupi gjykues ka vendosur shtyrjen e seancës për të marrë një vendim në lidhje me kërkesën e prokurorit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›