E Diel, 1 Nëntor 2026

Roli i munguar i Maqedonise

Maqedonia është përpara sfidave, që bashkë me zgjedhjet e qershorit bëhen shumë të rëndësishme për këtë vend. Një fushatë elektorale qytetare e pa incidente, zgjedhje demokratike e të mirëpranuara nga të gjithë, nuk mund të lenë larg vëmendjes qëndrimin e Shkupit për shtetin më të ri fqinj, Kosovën.

Sa më shumë e shtyjnë njohjen e shtetit të ri, aq më shumë dëshmojnë fanatizëm dhe nostalgji për të kaluarën. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Shkupi pa harruar edhe qëndrimin mbi kufijtë me këtë shtet të ri, janë tregues që e vendosin Maqedoninë në kampin e qëndrueshëm të rajonit dhe jo në atë të fanatikëve të sëmurë për nacionalizmin.

Një qëndrim i qartë për çështjet që lidhen me Kosovën, jo vetëm do të vendoste raportet e duhura mes dy vendeve, por ç‘është më e rëndësishmja do t‘i jepte siguri Perëndimit se Shkupi aspiron vërtet të jetë pjesë e tij. Indirekt edhe Beogradi do të merrte një sinjal të qartë se Maqedonia po i afrohet shumë pranë NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Nëse Serbia mendon se në një të ardhme sado të largët mund të jetë anëtare e aleancës veri-atlantike, duhet fillimisht të jetë e gatshme të pranojë pa komplekse kushtet e vendosura dhe përgjegjësitë për anëtarësimin në këtë aleancë. Në këtë kontekst nevojitet si kontribut edhe shembulli i Maqedonisë, e cila në fillim të prillit, ishte më afër se kurrë marrjes së një ftese nga NATO për anëtarësim në të. Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe premtimet për ftesë të shpejtë Maqedonisë, janë shembull i mirë edhe për Beogradin, që vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës.

Maqedonia së bashku me Serbinë më duket se janë në të njëjtën pozitë për sa kohë nuk njohin pavarësinë e Kosovës, edhe pse Shkupi premton se shumë shpejt do ta marrë një vendim të tillë. Maqedonia duhet të kuptojnë më në fund se bashkë me Kroacinë, Shqipërinë, pse jo edhe me Serbinë e Kosovën, do të krijojnë një mjedis të qëndrueshëm, lidhje më të ngushta dhe aftësi më të mëdha në misionet e NATO-s. Të gjitha vendet e rajonit kanë mundësi për t‘u bërë anëtare të NATO-s, sepse është më mirë të jesh edhe fqinje edhe anëtare të kësaj Aleance.

Rajoni ynë ka hyrë tashmë në një rrugë që duket se s‘ka kah të kthimit; atë të integrimit me Perëndimin dhe kush e kupton më shpejt këtë, është i fituari.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›