Llogara, probleme nga dëbora e ngricat
Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit kanë sjellë edhe dëborë në rrethinat e Vlorës dhe në fshatrat e saj. Mëngjesin e sotëm, rrethinat e Vlorës dhe fshatrat e Labërisë së thellë dhe lumit të Vlorës janë mbuluar nga dëbora.
Dëbora e rënë gjatë orëve të natës e që ka vijuar gjatë gjithë ditës se sotme, ka bërë që rruga nacionale e Llogorasë të bllokohet, dhe si pasojë dhe trafiku në këtë aks është bllokuar. Qafa e Llogarasë në mbrëmje dhe deri në orët e para të ditës së sotme ka qënë totalisht e bllokuar për të gjitha llojet e automjeteve, si dhe ato me zinxhir.
Problem është shkaktuar për automjetet, e kryesisht për autobusët të linjës Himarë Vlorë e Tiranë Himarë, të cilët kanë qëndruar në pritje për hapjen e rrugës, pikërisht në pikën më të lartë të Llogarasë. Shumë automjete të cilat kanë tentuar të kalojnë këtë qafë kanë qënë të detyruara të ngelin në rrugë, duke lënë dhe automjetet e tyre në pritje për hapjen e rrugës. Sot në këtë aks rrugor nuk është parë asnjë borëpastruese, si dhe të hidhej kripë dhe skorje në rrugë.
Nga Drejtoria e rrugëve, në ditën e sotme vetëm sa kanë bërë inspektimin e rrugës, por asnjë ndërhyrje për hapjen e këtij aksi nuk është parë. Policia rrugore po udhëzon mjetet që kalojnë Qafën e Llogorasë, duke mos lejuar mjetet pa zinxhirë që të kalojnë këtë aks, i cili është 1290 metra mbi nivelin e detit.
Trashësia e dëborës ditën e sotme ka arritur deri në 20 – 30 cm, por era e fortë dhe e ftohtë bëri që dëbora dhe uji të ngrinin dhe si pasojë makinat pa zinxhir nuk u lejuhan të qarkullojnë nga policia rrugore, e pozicionuar përgjatë aksit nacional. Gjithsesi ky aks rrugor vazhdon të jetë problematik për automjetet dhe sidomos në orët e mbrëmjes.
Një tjetër shqetësim për qytetarët e Vlorës ka qënë dhe dalja nga shtrati i lumit Shushicë në afërsi të fshatit Llakatund. Prurjet e shumta të ditës së sotme si dhe rreshjet e shumta të shiut që kanë rënë për tre ditë rresht, kanë bërë që lumi Shushicë i cili rrjedh nga fshati Kuç, të fryhet dhe të përmbytë toka të shumta në komunën Shushicë.
Drejtoria e Emergjencave Civile ka marrë një sërë masash duke njoftuar banorët e zonave përgjatë lumit, për largimin e gjësë së gjallë, si dhe për marrjen e masave, pasi ky lum është i rrezikshëm.