Partia Socialiste deklaron se nuk do ta ankimojë çështjen e Presidentit
16/02/2012 Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj në një prononcim për mediet flet për procesin e zgjedhjes së presidentit. Xhafaj sqaron se, pavarësisht se duhet të ketë një interpretim në Gjykatën Kushtetuese për sa i përket numrit të deputetëve që duhet të jenë në sallë në raundet e para, PS-ja nuk do të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Sipas sekretarit për koordinimin në selinë rozë, shkaku qëndron te vetë gjykata, te disa anëtarë të saj, që janë në shërbim të mazhorancës. “Gjykata Kushtetuese, kjo aktuale, me një sërë vendimesh të kohëve të fundit e ka përjashtuar opozitën nga e drejta për të kërkuar interpretimin e normave të caktuara kushtetuese. Pra, ia ka prerë rrugën. Më i turpshëm është vendimi i fundit lidhur më çështjen e Piramidës, ku Gjykata Kushtetuese me një shumicë 5 me 4 ka vendosur moslegjitimimin e grupit parlamentar. Kjo është e rëndë. Aty ende vazhdon të ketë gjyqtarë kushtetues që janë tej mandatit të tyre kushtetues. Gjyqtarë të tillë të kapur peng nga kjo mazhorancë, që vazhdojnë të qëndrojnë jashtë funksionit dhe mandatit të tyre kushtetues, nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse t’i mbyllin derën opozitës”, - tha Xhafaj. Deputeti socialist gjithashtu flet edhe për figurën e presidentit të ri të vendit. Sipas tij, ai duhet të jetë një personalitet që të garantojë pavarësinë e institucioneve dhe të jetë mbi palët politike. Pavarësisht kësaj, Gjykata Kushtetuese ka qenë institucioni ku jo pak herë opozita ka gjetur zgjidhjen për problemet që ajo i ka gjykuar si të rëndësishme. Rast për këtë ka qenë dhe marrëveshja e ujrave me Greqinë ku gjykata e hodhi poshtë me kërkesë të opozitës. Po ashtu dhe një sërë ligjesh të tjera, siç ishte fjala vjen ligji i lustracionit, që parashikonte pastrimin e radhëve të gjyqësorit nga ish bashkëpunëtorët e regjimit të kaluar. Ky projektligj duhet thënë se u kundërshtua fort nga opozita, duke pretenduar se shkelte konventat për të drejtat e njeriut. Gjithsesi për çështjen e Presidentit, opozita ka vendosur që të heshtë dhe mos e dërgojë proçedurën në Kushtetuese, duke hapur rrugën që Presidenti i ardhshëm të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë votash