E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llogaritja e pensioneve për ish-ushtarakët

08/07/2010 Zbatimi i kësaj procedure nga organet e sigurimeve shoqërore vetëm pas kompletimit të bazës ligjore

Fillimisht grupet e punës do të përcaktojnë edhe hapat se çdo të ndodhë me këtë ligj

Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese tashmë ka dhënë vendimin e saj në lidhje me ndryshimet që duhet të pësojë ligji për llogaritjen e pensioneve të ushtarakëve në rezervë, organet e sigurimeve shoqërore nuk mund të kryejnë procesin e llogaritjes. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi, ka shpjeguar gjatë ditës së djeshme se institucionalisht kjo procedurë do të finalizohet vetëm pas marrjes së një vendimi nga ana e Qeverisë, e cila i përcjell institutit shkresën që do të zyrtarizonte llogaritjen e përfitimeve për këtë kategori. “Vetëm pas kompletimit të bazës ligjore ne mund të iniciojmë procedurat e aplikimit për llogaritjen e masës së përfitimit. Por para se kjo të ndodhë, duhet që të kryhen një sërë veprimesh të tjera, si ngritja e grupit të punës me ekspertët e grupeve të interesit si ato të Ministrisë së Brendshme, SHISH-it, punonjësve të Gardës etj., të cilat përcaktojnë mesataren e të ardhurave të realizuara në vite nga të gjitha kategoritë e ushtarakëve. Në bazë të këtij treguesi, si dhe pas plotësimit të bazës ligjore, do të bëhet dhe llogaritja e masës së përftimit”, ka pohuar Koldashi. Kështu, për realizimin e këtij procesi pritet të merret për bazë një mesatare e të ardhurave të realizuara nga të gjitha kategoritë përfituese, të cilat kategorizohen nga statusi. Këto pagesa nuk do të mund të llogariteshin në bazë të të ardhurave individuale të realizuara nga secila shtresë e ushtarakëve, pasi do të hapeshin probleme të mëdha në dhënien e përfitimit. Ndonëse ka kaluar shumë kohë nga dhënia e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ende nuk dihet se si do të veprohet me ndryshimin e këtij ligji, nëse do të hartohet një i ri nga e para apo të rishikohet amendimi i ndryshimeve të kërkuara. Por është e sigurt që derisa kjo gjë të ndodhë, kërkohet një afat i caktuar kohor, që përfshin fillimisht marrjen e një vendimi nga Këshilli i Ministrave. Më pas ky vendim kalon në për miratim në Parlament e, nëse kjo ndodh, atëherë zyrtarizohet botimi në Fletoren Zyrtare. Me mbylljen e afatit zyrtar të publikimit të vendimit që do të merret u dërgohet edhe shkresa përkatëse organeve të sigurimeve, të cilat do të bëjnë llogaritjen e pensioneve sipas ndryshimeve të aprovuara në ligj. Në një prononcim për gazetën “Metropol”, kreu i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçe, është shprehur se në shkresën e dërguar pranë organeve qeveritare, atyre të Mbrojtjes si dhe të Financave, është kërkuar ngritja e një grupi pune, në të cilin të diskutohet në lidhje me zbatimin e ligjit duke u mbështetur në vendimin e gjykatës, por jo hartimin e tij edhe një herë tjetër nga e para. “Nëse nenin numër 29 kjo gjykatë e ka lënë që të interpretohet pozitivisht, do të thotë që ka një vendim të mëparshëm që duhet respektuar. Kështu Gjykatës Kushtetuese nuk i lejohet që të anulojë me ligj vendimet e formës së prerë të gjykatave. Pra, zëre se neni 29, i zbatuar në kuptimin negativ është hedhur poshtë, pasi ai duhet zbatuar vetëm pozitivisht, duke përcaktuar përmirësimet përkatëse në përputhje me ligjin. Përfitimet e fituara me vendimet e gjykatës do të lejohen të merren. Nëse këto përfitime janë më të mëdha sesa rillogaritja, do mbeten po ato, ndërsa në rastet kur këto përfitime janë më të vogla, atëherë do të bëhet rillogaritja e tyre sipas vendimit përkatës. Ky është kuptimi i drejtë i nenit të shumëpërfolur me nr. 29. Ndërsa neni 27 është ai që kemi thënë se heq të gjitha kufizimet”, ka pohuar pak ditë më parë Mehdi Pogaçe.

Spitalet në rrethe probleme me shërbimet shëndetësore

Rigrupimi do të lejojë funksionimin e 13 spitaleve rajonale

Pjesa dërrmuese e spitaleve në rrethe do të kthehen në struktura për ofrimin e shërbimeve ditore. Pas vëzhgimeve të kryera ka rezultuar se pjesa dërrmuese e tyre nuk realizonin misionin e tyre. Sipas vendimit të marrë, nga 43 spitalet që kanë funksionuar deri më tani në të gjitha rrethet e vendit, do të funksionojnë si spitale rajonale vetëm 13 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër do të shndërrohen në qendra ditore shërbimesh mjekësore. Kjo, pasi frekuentimi i tyre ishte shumë i pakët, ndërkohë që kostoja e shpenzuar për ekzistencën e tyre jo vetëm që është e lartë, por nga ana tjetër edhe e shkuar dëm, duke qenë se nuk viheshin në përdorim. Në këtë mënyrë, në të gjithë vendin vetëm 13 spitale do të kenë mundësi të ofrojnë shërbim me shtretër. “Janë rreth 30 spitale që do kthehen në ditore, pasi e kanë humbur rolin e spitalit. Ato kanë një shfrytëzim shtrati nga 2-6 për qind dhe nuk japin shërbim shëndetësor të mirë, nuk kanë specialistë dhe janë një kosto e madhe për shëndetësinë", ka pohuar gjatë ditës së djeshme drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Për spitalet rajonale do të përdoren godinat ekzistuese, por duke shtuar aparatura bashkëkohore dhe specialistët e çdo fushe. Këto spitale do të vendosen në qendër të qarqeve, teksa do të jenë të pajisura me infrastrukturë diagnostikuese, një pjesë e tyre do të bëhen spitale universitare. “ Të 13 spitalet rajonale do të vendosen në qendrat e qarqeve. I vetmi qark me dy spitale rajonale do të jetë Fieri”.

Pak kohë më parë është pohuar edhe nga përfaqësuesit e Bankës Botërore, që janë marrë me monitorimin e kësaj situate, se spitalet në rrethe shfrytëzojnë një pjesë shumë të vogël të shtretërve të tyre, megjithëse në vite është investuar për plotësimin e kapaciteteve në pajisje mjekësore, fonde të cilat kanë shkuar dëm deri më sot. Për këtë, ekspertët e huaj kanë këshilluar që lidhja e kontratave ndërmjet spitaleve dhe Institutit të Sigurimeve Shëndetësore të jetë e racionalizuar, që të anashkalohen spitalet që nuk funksionojnë dhe të forcohen shërbimet shëndetësore në ato spitale që përmbushin standardet.

Shpërndarja

Spitalet e rretheve nuk punojnë aq sa duhet krahasuar me fondet që kanë. Për këtë është menduar që sipas një plani të ri ndarja e fondeve për spitalet të bëhet sipas punës së kryer, çka do të thotë se spitalet që kanë bërë më shumë punë, do të marrin edhe më shumë fonde. Për pjesën dërrmuese të këtyre spitaleve, ndonëse janë shtuar fondet mbi përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, çka reflektohet jo vetëm me shfrytëzimin e ulët të kapaciteteve në këto spitale, por edhe me dyndjen e popullatës drejt institucioneve shëndetësore të kryeqytetit.

vijuar Rama.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›