E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet militant i PS-së, i kapen arsenal armësh

08/07/2010 Granata e tritoli të mbështjella me flamurin e selisë rozë

Policia ka vënë në pranga Arben Simonin, 40 vjeç, nën akuzën e mbajtjes së municioneve luftarake. Prej operacionit “Arsenali”, forcat e rendit të Lezhës kanë sekuestruar 68 copë granata ofensive dhe defensive, 86 kallëpe tritol me peshë 35 kg, 200 m linear fitil zjarrpërcjellës, një automatik model 56, një mitraloz i rëndë, një pushkë 20-ëshe, tre krehra fishekë model 56 të mbushur me fishekë, një shirit me 100 copë fishekë dhe një arkë me 1250 copë fishekë. Ndërsa municionet ishin të mbështjella me flamurin e Partisë Socialiste.

Policia ka bërë të ditur se Simoni ishte me precedent të tjerë penalë, ndërsa dhe gjatë protestave të PS-së disa muaj më parë, ai është konfliktuar me një tjetër person duke e goditur atë. “Arrestimi i tij u bë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në lagjen “Sheher”, qyteti Lezhë, iu gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh luftarake”, konfirmoi zyrtarisht policia e Lezhës.

Policia tha zyrtarisht se materialet në ngarkim të Arben Simonit do t’i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për procedim të mëtejshëm.

Precedenti i mëparshëm penal i Simonit lidhet me ngjarjen e ndodhur në Tiranë më 12 maj, kur një drejtues automjeti është konfliktuar gjatë orëve të pasdites me një protestues të Partisë Socialiste duke u plagosur, ndërsa grupi i tyre marshonte drejt godinës së Kryeministrisë.

Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Zogu i I” në afërsi të stacionit të Trenit në Tiranë, ku Arben Simoni, 40 vjeç, nga Lezha, është konfrontuar me Përparim Vladin, 41 vjeç, nga Tirana.

Mësohet se ky konfrontim ka ndodhur në momentin kur Simoni, së bashku me një grup personash përkrahës të Partisë Socialiste, po përgatiteshin për t’u nisur gjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë këtyre momenteve, Përparim Vladi ka qenë duke qarkulluar me automjetin e tij, tip “Benz” në bulevardin “Zogu i I”, ku është goditur papritur me grushte e sende të forta nga Arben Simoni, duke e plagosur lehtë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›