E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lobimi i LSI në SHBA, Petrit Vasili shkon në SPAK: U thirra si person në dijeni

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka dëshmuar 1 orë në SPAK  këtë të premte, pasi u thirr në lidhje me çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA. 

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Vasili nuk dha shumë detaje në lidhje me atë se për çfarë ishte pyetur, teksa tha shkurt për mediat se iprokurorët i kishin drejtuar disa pyetje në lidhje me një çështje që kishin patur interes. 

“U thirra si person në dijeni. Kishin disa pyetje që kishin interes për t’u informuar dhe i informova. Pyesni SPAK-un dhe ju informojnë vetë ata“, ka thënë Vasili pasi ka dalë nga SPAK.

Kujtojmë se në lidhje me çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA, Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje më herët dhe ish-deputetin e LSI-së, Endrit Braimllari.

Shtatorin e vitit të kaluar, SPAK në kuadër te hetimit nisur ndaj Ilir Metës nisi një letërporosi në SHBA ku kërkoi të dhëna nga departamenti FARA ku janë regjistruar kompanitë e lobimit në Departamentin e Drejtësisë atje.

SPAK ka nisur hetimet pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri i cili pretendon se për llogari të LSI janë shpenzuar 700.000 dollarë të padeklaruara për qëllime lobimi.

Kujtojmë se forca politike Lëvizja Socialiste për Integrim u riorganizua dhe ndryshoi emrin në Partia e Lirisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›