Lobimi i fotografit

Nuk është diplomat. Por, udhëton nëpër vende të ndryshme të botës dhe lobon për njohjen e Kosovës. E këtë fotografi Blerim Uka e bën në mënyrën e tij të veçantë, kryesisht në ngjarjet e mëdha sportive botërore.
Këtë mision Uka e kishte filluar në nëntor të vitit 2008 në Duseldorf të Gjermanisë. Aty boksieri kosovar Luan Krasniqi po zhvillonte meçin e tij të fundit në karrierë.
Uka i veshur një fanellë me mbishkrimin “Edhe unë kam shtet”, shfrytëzoi këtë rast dhe u takua me kampionët botëror Vladimir e Vitali Klichko për tu treguar për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ndonëse, për ukrainasit ky nuk ishte lajm i ri. Ata i uruan Ukës shtetin për të cilin thanë se kanë dëgjuar nga Luan Krasniqi, meqenëse edhe ai është kosovar.
Misionin e tij fotografi nga Podujeva e vazhdoi edhe në vitin 2009. Megjithatë, ai veçon udhëtimin e tij në Afrikën e Jugut në vitin 2010 ku po mbahej kampionati botëror në futboll.
“Ndonëse ky vend nuk na e njeh shtetin, unë jam akredituar dhe kam udhëtuar me pasaportë kosovare”, kujton Uka aventurën e tij të para gati tre vjetëve.
Qëllimi i udhëtimit të tij në këtë shtet thotë se ishte reklamimi i simboleve të Kosovës tek tifozët e kombëtarëve të ndryshme të botës.
Gjashtë muaj më vonë Uka shkon në Cyrih në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Topi i Artë” .
Këtu ai ishte befasuar nga legjenda e Real Madridit, Iker Kasilas.
“A ke dëgjuar për Kosovën” e kishte pyetur Uka.
“Është një shtet i ri”, ia kishte kthyer portieri i mbretërve.
Për, shtetin e llapjanit kishte dëgjuar edhe syperulli Kristiano Ronaldo. Ndërkaq, të njëjtin muhabet e kishte pasur edhe me Xavi, Iniesta dhe Guardiolën. Bile në përpjekje për tu fotografuar me këtë të fundit kishte ndodhë edhe një incident i vogël me kryetarin e Interit Massimo Moratin.
“E luta Guardiolën të fotografohem me të. Kur ai pranoi e pash një zotëri që po vinte në korridor dhe i thash të na fotografoi. Nuk e pash që ishte presidenti i Interit. Morati. Ai ma shtyu kamerën, ndërkaq, Guardiola ktheu shpinën dhe filloi të qesh”, tregon Uka ngjarjen e Cyrihut.
Me katalunasit Uka kishte pas punë edhe në muajin maj të 2011 në Wembley të Londrës. Atje i kishte pajisur tifozët e Barcelonës me shalle që kishin simbole të Kosovës në finalen e Champions League në mes Barcelonës e Manchester United.Të njëjtën punë bëri edhe gjatë Kampionatit Botëror në futboll për femra.
Viti 2012 ishte shumë intensiv për fotografin.
Filloi me Sir Alex Ferguson, Franz Beckenbauer, Dani Alvesh, Pablo Neymar, Xavi e Pique. Këta trajner e futbollist tënënshkruan fanelën e Ukës në të cilën kërkohej pranimi i Kosovës në FIFA e UEFA. Një të tillë e kishte nënshkruar edhe Shakira. Ajo kishte vizatuar buzët në fanelën e Ukës.
Më pas ai shkon në finalen e Champiosn League në Alianz Arena të Munihut. Por, më së miri kishte kaluar në Kampionatin Evropian të Futbollit. Atje pati një kërkesë të jashtëzakonshme nga tifozët kroat për simbole të Kosovës.
Ai kishte marr me vet një top në të cilin ishte shkruar kërkesa për pranimin e Kosovës në FIFA e UEFA. Atë e kishin marr pothuaj të gjithë tifozët, duke filluar nga rusët e deri te portugezët.
Ngjarja e fundit e madhe për fotografin ishin Lojërat Olimpike “Londra 2012”. Ai gjatë gjithë kohës së qëndrimit atje, përveç në terrenet sportive, kishte shpërndarë simbole të Kosovës edhe në fshatin olimpik.
“Mbi 100 atletë, disa prej tyre edhe fitues të medaljeve të arta kishin nënshkruar peticionin për pranimin e Kosovës në federata të ndryshme sportive botërore”, thotë Uka.
Misioni i ardhshëm i fotografit është Kampionati Evropian në basketboll që mbahet në Slloveni. Ndërkohë ai ka filluar përgatitjet për Kampionatin Botëror në futboll që mbahet vitin e ardhshëm në Brazil./Indeksonline/