E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelzen Maliqi këshilltar i Edi Rames

Këshilltari polik i Ministrit Enver Hoxhaj, Shkelzen Maliqi ka kaluar në anën tjetër të kufirit si këshillues.
Maliqi është emëruar këshilltarë i kryeministrit ende në detyrë të Shqipërisë, Edi Rama.

Publicisti kosovare do të jetë këshilltarë për rajonin. Lajmin e ka bërë publik, vetë Edi Rama.

“Kabineti i ri i kryeministrit do të ndryshojë thellësisht. Numri i madh deri më sot i këshilltarëve do t'ia lërë vendin një bërthame strategjike njerëzish me cilësi të spikatura, të cilët do të luajnë rol kyç në përgatitjen e vendimmarrjes. Njëri prej tyre do të jetë edhe një intelektual i mirënjohur e i mosvarur, që do të vijë nga Prishtina, për të ndihmuar në jetësimin e rolit që parasheh për Shqipërinë në rajon programi ynë i Rilindjes - Shkelzen Maliqi”, ka thënë Rama.

Ai këtë e ka arsyetuar, duke thënë se “ne duam të ecim më shpejt në drejtim të Kosovës e të fqinjëve të shqiptarëve në tërësi, për të mundësuar të gjithë bashkë projektin e një rajoni plotësisht të integruar në Europën e Bashkuar”.

Sipas tij, marrëveshja e Kosovës me Serbinë ka shënuar fundin e konflikteve të bartura nga ish-Jugosllavia dhe ka hapur një horizont të ri mundësish që na takon ne, njerëzve të këtyre territoreve t'i kthejmë në zhvillim ekonomik, social e kulturor rajonal pa humbur vite të tjera të çmuara. “Shkelzen Maliqi na është bashkuar për këtë qëllim të lartë fisnik”, ka përfunduar Rama. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›