E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdecët e Berishës të shkojnë në Hagë

Në një kohë kur Komuniteti Ndërkombëtar është i interesuar për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior e Bashkimin Europian, operatorë të mafies ndërkombëtare e kanë kthyer territorin e këtij vendi në terrene private të veprimtarisë së errët e kriminale, jashtëzakonisht të rrezikshme për popullsinë shqiptare. Ngjarja e dt.15 mars 2008 në afërsi të kryeqytetit shqiptar, ku mbetën të vrarë 26 vetë (mes të cilëve gra e fëmijë), mbi 300 të plagosur dhe mijëra shtëpi të rrënuara nga shpërthimi i municioneve të grumbulluara për tregti të fshehtë, përbën vetëm njërin prej rasteve tragjike të veprimtarisë së kësaj mafie dhe të rreziqeve që i kanosen jetës së shqiptarëve.

Nisur nga këto shqetësime, një vit më parë, më dt.14 prill 2007, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar iu drejtua Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë. Në këtë dokument, theksonim se operatorët e kësaj mafie të lidhur me lobet antishqiptare vazhdojnë të kryejnë veprimtari të dukshme kriminale kundër popullsisë e integritetit kombëtar të këtij vendi, siç inskenuan edhe trazirat e vitit 1997 për rrëmbimin e parave të popullit e nxitjen e qytetarëve në luftë civile, ku mbetën të vrarë rreth 1500 vetë. Mbi shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut dhe veprimet kundër integritetit kombëtar të shqiptarëve, nevojën e gjykimit të krimeve ndaj popullsisë në ngjarjet e vitit 1997 e domosdoshmërinë e masave për parandalimin e krimit të vrasjeve. Ky dokument, i mbështetur në Deklaratën e Përgjithshme të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Konventën Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Elementare si dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, iu bë prezent të gjitha organizmave ndërkombëtare, përfaqësuesve të Trupit Diplomatik në Tiranë, Parlamentit dhe institucioneve kryesore të Shtetit Shqiptar, të cilat, fatkeqësisht, nuk reaguan. Ndërsa Gjykata Europiane po u jep të drejtë të gjithë qytetarëve shqiptarë në lidhje me çështjet që kemi trajtuar dhe Prokuroria e Hagës i është përgjigjur kërkesës sonë, institucionet e shtetit Shqiptar dhe lidershipi i partive politike e kanë thelluar bashkëpunimin me operatorët e kësaj mafie çnjerëzore, jo vetëm të tregtisë së fshehtë të armëve, por edhe bizneseve të tjera të rrezikshme për jetën e mjedisin. Pasojë e këtij mosreagimi dhe bashkëpunimi me mafien është edhe ngjarja tragjike e datës 15 mars.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›