Përse duhet të hiqet MORATORIUMI për Mjetet Lundruese
Padyshim që në mes të një morie problemesh që ka populli shqiptar, ky nuk është ndër më madhoret. Po bëhen gati 3 vjet që nga heqja e lejes për lundrim për mjetet detare lundruese me motor për përdorim personal. Padyshim që konsiderata ime ka qenë se është një ligj absurd dhe e thënë në gjuhën shqipe, KOT. Ky ligj më kujton Reformën Agrare në Shqipëri. Ku ca më mbrapa u bllokuan dhe makinat e veturat e përdorimit privat. Nuk e kuptoj se pse duhej kur tërësisht varet në dorën e shtetit rregullimi, monitorimi e gjithçka tjetër. Kjo tregon dhe njëherë dobësinë e shtetit dhe forcën e tij zbuluese. Edhe qeveria e 1924 “e kapte lepurin me qerre". Ky ligj ishte një dënim kolektiv i pastër. Padyshim që probleme ka pasur dhe në këto kohëra. Po a mund të më thoni, ku është shteti, forca e tij zbuluese, investiguese, operative. Padyshim që zoti ministër i Brendshëm e kupton që punët e mira bëhen në tokë. Personalisht (duke qenë se ky aktivitet më shumë se hobi, ashtu siç mund të jetë dhe për të tjerë) është një e drejtë "E drejta për të lundruar", e cila padyshim që mund të rregullohet me ligj, por JO të ndalohet fare. Kjo e bën më të qartë faktin se ne nuk kemi standarde. Shikoni kudo në botë vendet fqinje se si i kanë Marinat, plazhet plot me mjete lundrues. Ky është turizmi shqiptar (përralla me mbret)! Nuk e kuptoj se ku është ndryshimi qershor me tetor (kur mbaron ky ligj). Më shumë se kurdo, këto mjete duhen për verën. Por se kjo më bën të mendoj se ju o politikanë keni akoma mbrapshtina në kokë. Dhe jam i sigurt se as kur ju mbaron ky ligj në tetor nuk do t’i lejoni, por do të bëni ndonjë amendim të radhës për ligjin. Ju nuk e kuptoni se këtu keni shkelur hapur dhe Kushtetutën, por jo vetëm për liritë e individit, por dhe të pronës. Deri sa ju mund të blini gjithçka: makina, helikopterë madje dhe nëndetëse, e pse ne nuk mund të mbajmë një varkë, të cilën e sollëm konform ligjeve tuaja të kohës? Nuk doni t'ia dini se sa shumë dëme na keni shkaktuar për 3 vjet me shërbimet e mirëmbajtjes se këtyre mjeteve. Mbasi për 3 vjet na i keni amortizuar mjetet. Na i keni nxjerrë jashtë përdorimit, gripuar motorët e gjithçka metalike kanë. Dhe, o zotërinj, është një dëm ekonomik që na e keni shkaktuar ju me ligjin tuaj absurd.
Argumentet tuaja nuk qëndrojnë, zotërinj, se mbas bllokimit të mjeteve ka pasur plot raste të identifikuar dhe publikuar në shtyp të kontrabandës. Kështu që, ju keni bllokuar thjesht njerëzit dhe mjetet e identifikuar. Vallë, me të njëjtën logjikë pse nuk bllokoni dhe autoveturat e kamionët? Pasi me to ju shkon droga e klandestinët jashtë! Për hir të së vërtetës, duhet ta kuptoni që imazhi që ju keni dhënë mjeteve lundruese nuk është ai i cili keni transmetuar. Çdo gjë e ka një monedhë dhe për ju është kosto politike, kështu që bëjuni pak më të zgjuar dhe hiqini ligjet skllavopronar, feudal e absurd. Dhe bëni që shteti të funksionojë.