Lohan: Plotësoni kërkesat, të merrni viza
Ambasadori Lohan tha se ka një ngecje në vend të reformave, për shkak të mungesës së mazhorancës së kualifikuar në parlament
"Udhëtimi pa viza do të bëhet efikas, vetëm pasi KE-ja të ketë vendosur që të gjitha kërkesat janë përmbushur"
TIRANË - Procesi për liberalizimin e vizave për Shqipërinë do të zgjasë, derisa vendi ynë të plotësojë kërkesat e vëna nga Bashkimi Evropian.
Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, deklaroi dje se ndihma për Shqipërinë është reciproke. "Së pari, ky proces nuk ka nevojë që të zgjasë shumë. Në rastin e Shqipërisë do të vonojë pak, pasi ajo nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat për liberalizimin e vizave.
Por, viti që vjen mund të jetë viti kur shqiptarët do të mund të udhëtojnë pa viza në BE për herë të parë. Në qoftë se qeveria shqiptare do të mund të plotësojë këto kërkesa, që kanë mbetur, Komisioni Evropian do të ketë mundësinë që në gjysmën e parë të vitit që vjen të bëjë propozimin për udhëtim pa viza për Shqipërinë.
Pra, na ndihmoni, që t'ju ndihmojmë edhe ne ju",- tha dje Lohan, i ftuar në emisionin "Studio e Hapur". Ambasadori i Komisionit Evropian parashtroi edhe kërkesat që Shqipëria duhet të realizojë, me qëllim afrimin e procesit për liberalizimin e vizave. "Ka disa kritere që kanë të bëjnë me menaxhimin e kufijve, sigurinë e tyre, bashkëpunimin e autoriteteve në kufij, si policia kufitare, doganat etj.
Pastaj kemi çështjen tjetër, që ka të bëjë me mënyrat e ndryshme, që përdoren për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin", - tha ai. Lohan foli për procedurat, që do të ndiqen për Shqipërinë, si dhe për raportin e eurodeputetes, Tanja Fajon, që u miratua pak kohë më parë nga Parlamenti Evropian.
"Në Komisionin Evropian është bërë një propozim për të përfshirë Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën në listën e vendeve, që nuk kanë nevojë për viza, por përfshirja e Shqipërisë e ka edhe një shënim të vogël në fund të faqes, që do të thotë se udhëtimi pa viza do të bëhet efikas, vetëm pasi Komisioni Europian të ketë vendosur që të gjitha kërkesat janë përmbushur", - tha ai.
Pa folur me data konkrete, Lohan shtoi se ky proces varet vetëm nga vendi ynë. "Pra, kemi një proces që është transparent, objektiv, teknik por nga ana e Komisionit Evropian ne nuk i kontrollojmë dot rezultatet, pasi ato janë në dorë të Shqipërisë, nëse ajo arrin që t'i plotësojë, nëse do të na ndihmojë edhe ne do të ndihmojmë qytetarët shqiptarë", - tha ai.
Ambasadori i Komisionit Evropian deklaroi ndër të tjera se në vend ekziston një gjendje ngecjeje në zhvillimin e reformave në Shqipëri. "Pra, një ngecje që është krijuar për shkak të mungesës së mazhorancës së kualifikuar në parlament", - tha ai. Lohan shtoi, gjithashtu, se edhe reforma në drejtësi nuk është përmbushur ende plotësisht.
"Shqipëria ka nevojë për një gjyqësor të mirëtrajnuar, profesionist, për gjykatës, avokatë, prokurorë dhe juristë, të cilët me punën e tyre e vendosin sundimin e ligjit mbi çfarëdolloj gjëje tjetër, konsideratash personale apo ekonomike që mund të kenë njerëzit e tjerë", - tha ai.