E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama - Berishës: Nëse nuk hap kutitë, do të ikësh me to!

Grupi parlamentar i PS-së vendos për përshkallëzimin e protestave deri në hapjen e kutive. Në të kundërt, do të kërkohet largimi i Berishës


TIRANË- Socialistët janë gati t'i shkojnë deri në fund betejës së nisur për hapjen e kutive të votimit, me qëllim bërjen e transparencës së zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit.


Ka qenë grupi parlamentar socialist, ai që ka konfirmuar dje vendosmërinë për të mos lëvizur nga qëndrimi i përqafuar, tashmë, nga e gjithë opozita për të përshkallëzuar protestën në të gjithë vendin dhe me pjesëmarrjen e shumë aktorëve të tjerë, jo vetëm politikë, për sa kohë që mazhoranca nuk do të pranojë kërkesën për hapjen e kutive dhe hetimin e zgjedhjeve.


Mbledhja e grupit


Situata politike e krijuar në vend pas protestës treditore të opozitës ka rritur ndjeshëm rolin e grupit parlamentar socialistë, i cili ka zhvilluar dje mbledhjen e dytë brenda katër ditëve.


Qëllimi i mbledhjes ka qenë konsultimi i strategjisë për vijimin e luftës politike në lidhje me betejën për hapjen e kutive, si dhe diskutimi i një sërë çështjesh të tjera të karakterit organizativ, siç është ai edhe për strukturimin e grupit parlamentar jashtë Kuvendit.


Në mbledhje kanë munguar deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe, më përjashtim të Arben Malajt, i cili siç mësohet nuk ka marrë pjesë në diskutime. Kështu, për sa i përket hapave të mëtejshëm që do të hedhë PS-ja dhe opozita në luftën e saj për hetimin e zgjedhjeve, nga burime pranë grupit, mësohet se deputetët kanë shprehur mbështetjen për betejën e nisur, duke kërkuar në të njëjtën kohë sqarime prej kryetarit Rama lidhur me hapat që janë menduar të hidhen më tej, në rast se Berisha nuk do të reagojë pozitivisht pas skadimit të afatit 10-ditor që i është lënë për t'i dhënë zgjidhje kësaj situate.


Duke iu përgjigjur interesit të zgjedhurve socialistë, mësohet se kreu i PS-së, Edi Rama, ka thënë në fund se "zgjidhja është në dorë të Berishës, ndërsa e drejta është në dorën tonë".


Në vijim të këtij debati, grupi ka rënë dakord që pas dhjetë ditësh në rast se Berisha nuk reflekton të vijohet me përshkallëzim të protestës, duke synuar përhapjen e tyre në të gjithë vendin dhe duke ftuar në to dhe grupe të tjera interesi, si pushtetin lokal, sindikatat etj.


Këtë e ka konfirmuar edhe vet kreu i PS-së pas mbledhjes së grupit teksa deklaroi: "Grupi diskutoi në një kohezion të plotë e me një vendosmëri më të madhe se asnjëherë, për të vazhduar të udhëheqë lëvizjen e re popullore, e cila do të shkojë duke u zgjeruar, duke përfshirë gjithë Shqipërinë me protesta të pandalshme, në qoftë se Sali Berisha nuk do ta shfrytëzojë kohën që i kemi dhënë, për të reflektuar në funksion të forcës së arsyes e jo të arsyes së forcës".


Rama paralajmëroi edhe një herë kundërshtarin e tij politik se në rast se nuk do të pranojë të hapë kutitë do të detyrohet të largohet nga qeveria. "Ne jemi të vendosur. Ne nuk kthehemi nga rruga jonë.


Unë i qëndroj me forcë në emër të atyre 100 mijë qytetarëve që erdhën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", po dhe atyre miliona të tjerëve që na ndjekin, bindjes se nëse Sali Berisha nuk hap kutitë duhet të ikë së bashku me kutitë", - tha Rama pas mbledhjes së grupit. Gjithashtu, mësohet se në protestat që janë parashikuar të mbahen pas skadimit të këtij ultimatumi nuk do të kërkohet më hapja e kutive për t'u kthyer në Kuvend, por largimi i Berishës.


Në mbledhje, deputetët kanë shprehur shqetësime edhe për marrëdhëniet me Kuvendin, ndërsa kanë kërkuar të qartësohen lidhur me fatin e mandateve të tyre të deputetëve, për të cilën Rama ka siguruar edhe një herë se legjitimiteti i tyre nuk varet nga kryetarja e Kuvendit.


Kongresi i sindikalistëve


Kryetari i opozitës, Edi Rama, mori pjesë dje në Kongresin e 4-ët të Konfederatave e Sindikatave të Shqipërisë, ku bëri thirrje për pjesëmarrje të gjerë në protestat e opozitës. "Ftesa ime për Sali Berishën është e qartë dhe e drejtpërdrejtë, reflekto për këto ditë që ke kohë.


Ndërsa për të gjithë ju është po ashtu e qartë dhe e drejtpërdrejtë: Ejani të gjithë me ne, jo për t'u rreshtuar majtas apo djathtas, por për të qëndruar në këmbë përballë këtij regjimi të korrupsionit, deri në fund, deri kur në Shqipëri llumokracia të zhbëhet dhe demokracia të ribëhet, me zgjedhje të lira e të ndershme, me konkurrencë të lirë për të gjithë dhe me meritën e secilit me punë dhe dialog social", - tha Rama.


i shtoi se Berisha ka vetëm një shans. "Të bëjë transparencën në Parlament të zgjedhjeve të 28 Qershorit, duke filluar nga hapja e kutive, ku mban peng votat e një populli të tërë", - tha ai.


Rama siguroi sindikalistët se ka vetëm një rrugë për çdo shqiptar për të ruajtur, liritë dhe të drejtat, pronat e shpresat e veta: "të dalë në rrugën protestës së pandalshme, deri në largimin e Sali Berishës".

*************************************

PS pritet të depozitojë në Kuvend draftin, ku synohet hetimi i zgjedhjeve të Qershorit


Hetimi i zgjedhjeve, mbi 20 mijë firma depozitohen në Kuvend


TIRANË - Lufta e opozitës për bërjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 Qershorit nuk do të përqendrohet vetëm në një front, pra në protestat popullore, por edhe në atë ligjore.


Kështu, krahas tubimeve që janë paralajmëruar të zhvillohen në të gjithë vendin, Partia Socialiste si forca më e madhe opozitare pritet të depozitojë ditët në vijim në Kuvend projektligjin, nëpërmjet të cilit synohet të bëhet i mundur hetimi i zgjedhjeve të shkuara parlamentare edhe kur për to ka një vendim gjykate.


Grupi parlamentar socialistë ka diskutuar lidhur me këtë nismë ligjore dhe ka vendosur që të konkretizojë sa më parë të jetë e mundur dorëzimin e tij, së bashku me firmat e mbështetësve në Kuvend, si propozim të mbi 20 mijë zgjedhësve.


Për t'i prerë rrugë çdo justifikimi të mazhorancës se hapja e kutive të votimit nuk mund të behet për shkak se nuk e lejon legjislacioni, selia rozë pasi hartoi draft-ligjin, nëpërmjet të cilit do të krijohet hapësira e duhur për të kryer transparencën e zgjedhjeve, tashmë, ka gati dhe firmat e mbështetësve të tij.


Një fakt i tillë është bërë i ditur dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, i cili ka vendosur që të përmbyllë procedurat e duhura për ta depozituar atë në ditët në vijim pranë institucionit ligjvënës, si nismë e mbi 20 mijë zgjedhësve.


Megjithëse nuk jepet një numër konkret, nga burime pranë selisë rozë mësohet se janë mbledhur më shumë firma sesa kërkon një nismë ligjore që vjen nga zgjedhësit, pra më shumë se 20 mijë, por më pak se 30 mijë. Drafti në fjalë nuk është bërë ende publik në formën e tij të plotë, pavarësisht se në vija të përgjithshme është bërë e njohur përmbajtja e tij.


Siç bëhet e ditur, ky draft përmban në tërësinë e vetë 13 nene, nëpërmjet të cilave synohet të krijohen hapësirat e duhura ligjore, jo vetëm për të hapur kutitë, por edhe për të hetuar çdo aspekt që ka ndikuar në shprehjen e votës nga qytetarët, siç është rasti i punonjësve të administratës shtetërore, apo ai i nxjerrjes së të burgosurve nga burgjet. Nëpërmjet saj mund të krijohen hapësirat për të zbardhur të gjitha shkeljet e bëra në zgjedhjet e datës 28 Qershor.


Drafti parashikon hetimin e çdo institucioni publik, që dyshohet se ka dhunuar të drejtën e qytetarëve për t'u shprehur lirisht dhe për të numëruar atë votë ashtu si qytetarët e kanë hedhur.


Hetimi që do të sigurohet nëpërmjet këtij drafti do të jetë i pakufizuar, dhe do të trajtojë çdo provë të manipulimit të zgjedhjeve. Mungesa në Kuvend, por edhe për t'i dhënë kësaj çështje një mbështetje jo vetëm politike, por edhe qytetare, ka detyruar socialistët që në Kuvend, ata ta paraqesin si nismë e 20 mijë zgjedhësve.


Kështu, duke shfrytëzuar pikërisht mundësinë që krijon neni 81 i Kushtetutës, i cili parashikon që "të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës", selia rozë ka mbledhur mbi 20 mijë firma nga shtetasit me të drejtë vote.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›