E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sapo ka vënë këmbën në teatër dhe na fyen

Drejtori i Teatri Kombëtar, Kristaq Skrami, reagon pas kritikës së aktores së re, e cila e detyroi të japë këtë intervistë.


Prerja e finales së shfaqjes "Shtëpia e Bernarda Albës" e Lorkës është ngritur si shqetësim nga aktorja protagoniste Armela Demaj në faqet e djeshme të "Shekulli"-t.


Ajo shprehu hapur mendimin për një problem, origjinën e të cilit e sheh te papërgjegjshmëria e stafit të Teatrit Kombëtar. Por, për drejtuesin e këtij Institucioni kjo liri shprehje e shqetësimeve të të rinjve "është fyerje, është linçim".


Si mundet kur këta që flasin sapo kanë vënë këmbën në teatër?, pyet Skrami. Ai i kërkoi dje "Shekulli"-t që të reagojë. Lexuesi e sheh se pas kësaj interviste, nuk është nevoja të komentohet se sa i informuar është drejtori vetë për sa ndodhi në skenën e Teatrit Kombëtar.


Z. Skrami çfarë shpjegimi i jepni ndërprerjes së shfaqjes?


Që këtu fillon gabimi. Në asnjë mënyrë nuk ka ndodhur kjo gjë. Jam i befasuar, jam i fyer, nga ky reagim i kësaj aktoreje të re që sapo hyn në një skenë teatri. Nuk ka asnjë lloj të drejte morale që të hedhë poshtë edhe të denigrojë një staf të tërë të Teatrit Kombëtar dhe ta quajë të papërgjegjshëm.


Ndërkohë që, duke filluar që nga prilli dhe deri në ditët e fundit, ky staf po përballon jo vetëm shfaqjet e njëpasnjëshme dhe të gjithë kalendarit të ngjeshur të tij në sallën e madhe, pikërisht për t'ju ardhur në ndihmë këtyre regjisorëve të rinj, aktorëve të rinj, me një sforco të jashtëzakonshme.


Kini parasysh që shfaqjet kanë filluar që në fillim të tetorit dhe janë 6 shfaqje që duke filluar që nga skenografia, që nga kostumografia është stafi i Teatrit Kombëtar që ka qenë në dispozicion. Më befason reagimi i kësaj aktoreje...


Ju vetë si e shpjegoni këtë që ndodhi?


Menjëherë pas shfaqjes kam takuar regjisoren, kam takuar dhe aktoret e tjera që i kam uruar dhe të nesërmen e kësaj dite, regjisorja ka ardhur më ka takuar dhe nuk e ka shprehur një shqetësim të tillë.


Kjo do të thotë që duhet falur papërgjegjshmëria dhe pakujdesia?


Nuk është papërgjegjshmëri. Është një gabim që mund të ndodhë. Nuk janë thënë 3-4 frazat e fundit. Natyrisht këto janë ato që i vënë pikën shfaqjes, por nuk mund të hidhet baltë.


Personi është një punonjës i Teatrit Kombëtar?


Është ndriçuesi i Teatrit Kombëtar. Është një gabim i momentit, për të cilin edhe unë do të marr masat e mia, në mos e kam thirrur, por jo në këtë formë. Duhet të keni parasysh më përpara si është zhvilluar ky festival.


Jepeshin paret dhe këta të rinj nuk dinin ku të vinin provat e tavolinës, jo më ato në skenë. Ka tre vjet që këtyre u është krijuar mundësi edhe për provat në studio, por edhe me të gjithë komponentët e tjerë që do një shfaqje.


Menjëherë pas kësaj pakujdesie ju vetë si reaguat?


Unë sot e kam marrë vesh. E kam marrë vesh nga gazeta, sepse as vetë regjisorja nuk ma ka thënë këtë. Unë nuk pranoj që është bërë me qëllim. Në momentin që unë vërtetoj që është me qëllim, asnjë person nuk ka punë më në këtë institucion.


Cili ishte versioni i ndriçuesit?


Ishte një gabim. Më tha që ishte një gabim se kujtoi që shfaqja mbaroi, ngaqë publiku shpërtheu në duartrokitje.


Por publiku duartrokiti pas fikjes së dritave, jo më përpara?


Ka qenë momenti kur doli aktorja dhe u hodh prozhektori i kuq dhe menjëherë publiku shpërtheu në duartrokitje. Ishte një moment. Nuk duhet të linçojmë njerëzit për një gabim kaq të vogël.


Përveç skenës, si i mbështet Teatri Kombëtar të rinjtë?


Buxheti është tejet transparent dhe për të qenë më të besueshëm, mos pyesni drejtorin e Teatrit Kombëtar, por regjisorët dhe aktorët: "Çfarë u ka ofruar Teatri Kombëtar?". Çfarë u ofronin më përpara që nuk kishin as sallë, as garderobën nuk e kishin në dispozicion.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›