E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan dorëzon pyetësorin, Berisha-Ramës: Ta përshëndesim bashkë në konferencë

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian Helmut Lohan i ka dorëzuar kryeministrit Sali Berisha pyetësorin mbi bazën e të cilit Komisioni Europian do të përgatisë opinionin e tij mbi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Kreu i qeverisë shqiptare, Berisha garantoi se qeveria do punojnë me përkushtim në përgjigjen e pyetjeve të pyetësorit. "Ambasadori Lohan më dorëzoi pyetësorin me 2260 pyetje, 384 faqe i cili duhet të plotësohet nga autoritetet dhe t'i dorëzohet Komisionit. Shpreh mirënjohje ndaj Komisionit që në një kohë të shkurtër ia doli të formulojë pyetësorin voluminoz për Shqipërinë. Garantoj se qeveria ime dhe autorietet shqiptare do punojnë me përkushtim dhe gjithëpërfshirje të spektrit politik, të grupeve të interesit që përgjigjet që do dërgohen në KE të jenë më të vërtetat e të vërtetave", tha ai.
Kreu i qeverisë shqiptare ftoi në mënyrë publike kryesocialistin Rama që të bëhet pjesë e një konferencë të përbashkët për shtyp për të përshëndetur marrjen e këtij pyetësori nga Shqipëria. "Ftoj edhe një herë kreun e PS-së Rama që së bashku ta përshëndesim në konferencë shtypi këtë moment historik për gjithë shqiptarët si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të forcave politike për të kontribuar më procesin e integrimit në BE", deklaroi kryeministri.
Berisha theksoi se qeveria mbetet e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj në problematikën që trajton pyetësori. Kreu i qeverisë siguroi Lohan dhe KE se 800 punonjës të administratës do të angazhohen me intensitet të madh në studimin dhe plotësimin e tij. "Komisioni ndërministror i integrimit do shqytojë çdo javë ecurinë e këtij procesi", shtoi ai.
Ambasadori i KE-së, në vendin tonë, Helmut Lohan tha se pyetësori është një moment historik në marrëdhëniet Shqipëri-BE. Lohan vuri edhe një herë theksin në plotësimin e kritereve politike, si shtetin e të drejtës, respektimin e minoriteteve, luftën e korrupsionit, krimit të organizuar dhe funksionimin e demokracisë. "KE do të lexojë me kujdes përgjigjet dhe do të përpiqet të bëjë një vlerësim të ecurisë së prekshme që do jetë bërë në këto fusha.", theksoi ai. Lohan theksoi se rruga drejt BE-së kërkon reforma të vështira. Lohan tha se BE i bën thirrje partive politike që të bëjnë dialog konstruktiv politik duke theksuar se debati duhet të bëhet në parlament. "Ndaj vlerësoj ftesën e kryeministrit për të hapur këtë dialog", nënvizoi ambasadori. Ai tha se shpreson që ngërçi politik të kalojë deri në fillim të vitit të ardhshëm që Shqipëria të vazhdojë përpara siç dëshirojnë dhe meritojnë shqiptarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›