E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Ndryshimet në statut formale, komisioni nuk është mbledhur

Bode: Nuk pati asnjë propozim

TIRANË-Kuvendi i Partisë Demokratike në mbledhjen e IX të tij për zgjedhjen e lidershipit të kësaj force politke, miratoi dje edhe ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike. Në paraqitjen e ndryshimeve në statut, drejtuesi i komisionit për ndryshimet në statutin e selisë blu, Ridvan Bode vuri në dukje pikat kryesore të ndryshimit dhe përmirësimeve në statutin e PD-së.


Megjithëse, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj para pak ditësh paraqiti një paketë, që parashikonte ndryshime rrënjësore në statut, propozimi i tij nuk është marrë parasysh. Drejtuesi i komisionit të ndryshimeve në statutin e PD-së, Bode, ka injoruar propozimet e Biberajt, duke u shprehur se nuk është paraqitur asnjë propozim për ndryshime në statut dhe ftoi Kuvendin për ta miratuar atë.


"Qysh në fillim të kësaj seance dhe deri më tani nuk kanë mbërritur propozime apo sqarime për nene të veçanta të tij", - tha dje Bode në Kongres.


Lidhur me këtë qëndrim të Komsionit për ndryshimet statutore dhe miratimeve të tyre në Kongres, në një intervistë për gazetën "Shekulli", anëtari i kryesisë së PD-së, Aleksandër Biberaj deklaroi se ndryshimet në statut janë kryer në mënyrë formale, madje sipas tij komisioni nuk është mbledhur për të trajtuar dhe miratuar ndryshimet në statutin e selisë blu. Sipas Biberaj, arsyeja e mospranimit të propozimit të tij për ndryshime në statut ka të bëjë me lidershipin e Partisë Demokratike.


Duke iu referuar kësaj situate por edhe faktit se shumë nga figurat kryesore në PD, janë shmangur nga strukturat drejtuese si dhe nuk kanë qenë as të ftuar dje në Kongresin e kësaj force politke, ai theksoi se partia ku ai momentalisht bën pjesë, ndodhet në një regres dhe në një zhvillim negativ.


Z. Biberaj, cili është qëndrimi juaj, pas miratimit të ndryshimeve të statutit në Kongres, kur nuk është marrë parasysh paketa e paraqitur prej jush për ndryshime në statutin e Partisë Demokratike?


Ndryshimet në statut kanë qenë ndryshime formale, ndryshime në strukturë që i përshten Partisë Demokratike, strukturën e zgjedhjeve elektorale. Unë kisha propozuar disa ndryshime që kanë të bëjnë me thelbin, pra me përmbajtjen e statutit, si kushtetutë e Partisë Demokratike, të cilat nuk janë marrë parasysh, megjithëse lidershipi ka qenë disi jo i sinkronizuar, sepse dikush thoshte që nuk kanë ardhur dhe dikush theksonte se "na kanë ardhur i kemi trajtuar dhe rrëzuar". Dikush tjetër thoshte që "nuk kanë ardhur dhe nuk i kemi diskutuar."


Kështu që mendoj se qëndrimi mund të ishte më korrekt sepse ato ishin ndryshime që bazoheshin në eksperiencën më të mirë të Partisë Demokratike, por edhe në eskperiencat më të mira të Partive Popullore Evropiane, partive amerikane dhe partive angleze, si parti me eksperiencë të gjatë në demokraci dhe kishin të bënin me demokratizimin e partisë, me reformimin e saj në mënyrë që Partia Demokratike të përballojë sfidat e reja të kohës që ka Shqipëria pas 19 vitesh nga rrëzimi i sistemit komunist.


Si mendoni, cilat janë arsyet që nuk është pranuar paketa e paraqitur prej jush për ndryshime në statut?


Ishte një projektstatut i ri do të thoja. Arsyet e mendoj se duhen kërkuar tek lidershipi i Partisë Demokratike, unë zyrtarisht kam bërë detyrën time konform statutit dhe vendimeve të kryesisë, pra kam paraqitur projektstatutin e ri, si rregull nëse është diskutuar në komision duhej të thirresha për të mbrojtur këto ndryshime.


Mesa kam informacion komisioni nuk është mbledhur fare, gjithsesi kjo është punë e lidershipit, unë e kam bërë punën time. Natyrisht puna ime konsiston në mbrojtjen e parimeve dhe idealeve demokratike dhe në demokratizimin e mëtejshëm të Partisë Demokratike.

A mendoni se do të rizgjidheni sërish në Këshillin Kombëtar?


Nëse i referohemi traditës së historisë kam qenë ndër demokratët më të votuar gjatë këtyre 19 viteve dhe besoj që demokratët kanë respektuar vlerat dhe kryesisht kontributet, pasi unë kam 19 vite në Partinë Demokratike dhe nuk ka mbetur vend pa bërë fushatë si në mazhorancë ashtu edhe në opozitë, ku natyrisht jam njohur me delegatët dhe kam 19 vite që bashkëpunoj.


Nëse votimet do të jenë të lira ose të ndershme dhe transparente mendoj se do të votohem nga anëtarësia e partisë, por e drejta e votës u përket anëtarëve të Kuvendit Kombëtar.


Si e konsideroni faktin që figura të njohura të selisë blu, veçanërisht themeluesit kryesorë të saj si Preç Zogaj e Besnik Mustafaj nuk kanë qenë as të ftuar në Kongres?


Kjo është historia e Partisë Demokratike. Fatkeqësisht sot pas 19 vitesh nuk ka mbetur askush nga themelimi. Është zhvillim regresiv, zhvillim negativ, zhvillim për të ardhur keq. Kjo ka qenë historia e vërtetë e Partisë Demokratike.


Pikërisht një nga aryset që unë propozova statutin ka qenë respektimi i elitave politike, respektimi i traditës dhe historisë, pasi kisha përfshirë që në kryesinë e Partisë Demokratike të marrin pjesë ish-kryetarët e partisë, ish-presidentët, ish-kryetarët e Kuvendit dhe ish-kryeministrat që i përkasinë Partisë Demokratike. Janë eksperienca dhe përvoja që i ka aplikuar Perëndimi prej kohësh.


A mendoni se Këshilli Kombëtar me votën e tij do të sjellë ndryshime në postet si sekretarit të përgjjthshëm dhe nënkryetarit të partisë apo pritet një rikonfirmim formal i posteve aktuale?


Nuk dëshiroj që të paragjykoj asnjë zhvillim. Këshilli Kombëtar do të zgjedhë nënkryetarin, sekretarin e përgjithshëm dhe kryesinë e re. Hapi i parë është procesi i votimit të sotëm (dje) dhe rezultatet të cilat do të dalin sipas punës së komisionit përkatës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›