E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS-së, sot rezolutë për situatën ekonomike

Socialistët ndërpresin sot turin e tyre të protestave. Mblidhet Asambleja Kombëtare për situatën ekonomike dhe sociale


TIRANË- Socialistët ndërpresin sot turin e tyre të protestave për t'iu përkushtuar mbledhjes së Asamblesë Kombëtare. Mbledhja do të fillojë punimet në orën 11:00 dhe ajo ndryshe nga më parë do të ketë një rend dite paksa të veçantë, pasi në të është parashikuar të diskutohet vetëm për problemet ekonomike, që shqetësojnë sot vendin si dhe efektet sociale, që përcjellin ato te qytetarët shqiptarë.


Kështu, paralel me problematikën që po trajtohet edhe në protestat që kanë nisur, tashmë, në rrethe të ndryshme, Asambleja do të zhvillojë një debat të hapur lidhur me të gjitha fenomenet e karakterit ekonomik, që janë shfaqur së fundmi në Shqipëri, duke filluar që nga vendimi për rritjen e çmimit të energjisë, papunësia, varfëria, rënia e të ardhurave nga emigrantët, efektet e krizës globale financiare, qëndrueshmëria e lekut dhe rreziku, që i kanoset qytetarit shqiptar nga luhatjet e tij, etj.


Gjithashtu, një çështje që do të zërë dhe vendin kryesor në diskutime do të jenë edhe efektet, që do të japë te buxheti i njësive të pushtetit vendor dhe te bizneset, ndryshimet e bëra, së fundmi, në ligjet për taksat kombëtare dhe ato vendore.


Për këtë qëllim, mbledhja është organizuar në një mënyrë të posaçme, ku disa nga drejtuesit politikë të PS-së dhe ekspertët më të mirë të fushës së ekonomisë do të referojnë për çdo njërën nga problemet e renditura më sipër. Mësohet se ish-guvernatori i Bankës, Shkëlqim Cani, do të referojë në këtë mbledhje për sistemin bankar, efektet e krizës mbi të dhe zhvlerësimi i lekut.


Ndërsa deputeti Ilir Beqja do të mbajë një fjalim për problemin e varfërisë dhe papunësinë në vendin tonë. Në emër të pushtetit vendor do flasë kreu i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, i cili do të japë një panoramë të hollësishme të efekteve, që do të sjellë direkt politika e ndjekur nga qeveria për sa i përket sistemit tatimor, qoftë në të ardhurat e njësive vendore dhe cenimin e autonomisë së këtij pushteti, ashtu edhe në barrën financiare, me të cilën do të duhet të përballet në ditët në vijim ajo kategori e biznesit të vogël që me ndryshimet e bëra në ligj do të konsiderohet si biznes i madh.


Një referim interesant pritet të jetë ai që do të mbahet nga deputeti Erion Braçe, i cili do t'i kushtohet tërësisht korrupsionit dhe sidomos atij të kryer nga ajo kategori që socialistët e konsiderojnë si "FAMILJA" e kryeministrit Berisha.


Në panelin e referuesve do të jenë edhe emra të tjerë të njohur të ekonomisë dhe financave, si deputetja Ermelinda Meksi apo edhe ish-zëvendësministrja e Financave, Ardiana Berberi. Për të gjitha këto çështje, në përfundim, Asamblesë Kombëtare do t'i propozohet për miratim edhe një rezolutë, ku do të përmblidhet qëndrimi i Partisë Socialiste për situatën ekonomike dhe sociale të shqiptarëve si dhe politika, që duhet ndjekur më tej në lidhje me marrëdhëniet me kryeministrin Berisha dhe mazhorancën që ai drejton.


Pavarësisht se mbledhja është parashikuar të zhvillohet për situatën ekonomike, nuk përjashtohen edhe diskutimet, që mund të mbahen nga anëtarë të Asamblesë për marrëdhëniet e PS-së me institucionet shtetërore dhe betejën për transparencën e votës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›