E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja e dyfishtë

Zyrtarët e Lidhjes Demokratike e Kosovës kanë vendosur të përdorin një strategji të re politike dhe të vazhdojnë lojën e dyfishtë në raport me Partinë Demokratike të Kosovës.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, që është mbajtur të shtunën, nuk është thënë asgjë e re. Aty janë përsëritur qëndrimet e LDK’së të dhëna nëpër konferenca që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale.

Shefi i Shtabit elektoral të LDK’së, Lutfi Haziri, ka paraqitur raportin për zgjedhjet e fundit, në të cilin u bëhet thirrje zyrtarëve të partisë që të vazhdojnë të luajnë rolin e dyfishtë – edhe si pushtet edhe si opozitë. Kjo dëshmohet në raportin e përgatitur nga Haziri për zgjedhjet lokale, ku kërkohet nga zyrtarët e LDK’së që të realizojnë projektet që kanë të bëjnë me votuesin e partisë.

“Edhe nëse këto projekte nuk gjejnë përkrahje nga qeveria, ne duhet të angazhohemi që të ‘luftojmë’ përmes medieve dhe kështu të pozicionohemi si parti opozitare”, shkruan në raportin e shefit të shtabit zgjedhor të LDK’së. Lutfi Haziri është emëruar Ministër i Kulturës menjëherë pas zgjedhjeve lokale, edhe pse gjatë fushatës ishte njëri prej atyre që sulmonin Qeverinë Thaçi.

Tani Haziri është bërë kreator i qasjes së dyfishtë që do të ndjekë LDK’ja. Rendi i përcaktuar nga Kryesia, për të diskutuar për zgjedhjet e fundit lokale dhe për procesin zgjedhor brenda partiake, nuk ka ndryshuar. Në agjendë nuk është futur për diskutim ideja Kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa për prishjen e koalicioni me PDK’në.

Megjithëkëtë, Mustafa, që është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij për daljen e LDK’së nga koalicioni. “Unë s’kam lëvizur nga qëndrimi im për prishjen e koalicionit. Kjo temë nuk duhet të jetë tabu në LDK, por duhet të diskutohet brenda strukturave udhëheqëse të partisë”, ka thënë Mustafa para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.

Pas mbledhjes, Mustafa nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, por është larguar nga mbledhja i shoqëruar nga Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri.
“Nuk deklarohem sot për media”, ka thënë Mustafa pas takimit. Lutfi Haziri e ka quajtur të përgjegjshëm veprimin e Mustafës. . “Isa Mustafa është i përgjegjshëm. E dinë kur duhet me fol, dhe dinë kur s’duhet me fol. Ai është shumë i përgjegjshëm në publik”, ka thënë Haziri.

Nënkryetari i Parë i LDK’së, Eqrem Kryeziu, ka dhënë leksione kolegëve nga partia se si duhet të ngrihet një çështje për diskutim. Por, paraprakisht ai ka zgjedhur fjalë të mira për partinë duke përmendur sërish “sharmin” e saj. “Çdo gjë mund të ngritët pa pasione, por me një trajtim intelektual. Por, mund të hyjnë trajtimi i këtyre çështjeve nga aspekti intelektualo-politiko-partiak. Absolutisht asnjë tabu temë nuk është”, ka ironizuar Kryeziu, kur është pyetur pse nuk është diskutuar ideja e Isa Mustafës.

Ish’ kryetari i Prizrenit, Eqrem Kryeziu, ka pranuar se brenda mbledhjes ka pasur debat edhe kritikë. “Ka qenë një debat shumë i gjatë dhe kritik që është e mira, pasuria dhe sharmi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mos shpresoni shumë në vlime dhe pasione. Nuk përjashtohen emocionet e forta as në LDK”, ka shtuar ai.

Duke komentuar rreth aferës “Zanzibar”, ku zyrtarë të PDK’së kishin njoftuar befasisht ata të LDK’së për prishje të koalicionin në mes të natës , Eqrem Kryeziu e ka mohuar një gjë të tillë. Por, ka reaguar Ministri Lutfi Haziri. “Ne jemi parti e ditës”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, ish kandidati i LDK’së për Kryetar të Gjilanit, Fatmir Rexhepi, ka vazhduar me kritika në drejtim të zyrtarëve të partisë dhe ka kërkuar që të mblidhet edhe një herë Këshilli i Përgjithshëm dhe të diskutojë për prishjen e koalicionit.

Derisa Rexhepi u ka folur gazetarëve - Eqrem Kryeziu ka thënë se ish-kandidati për kryetar të Gjilanit është prekur nga “ sindromi i Melit” duke aluduar në largimin e Melihate Tërmkollit nga LDK’ja. Rexhepi ka kërkuar që mbledhja e radhës e Këshillit të mbahet brenda muajit qershor, pasi, sipas tij, partia po i afrohet vijës së kuqe.
Përgjigjen e ka marrë menjëherë nga Eqrem Kryeziu, i cili ka thënë se duhet të respektohen rregullat për të mbledhur Këshillin e Përgjithshëm.

Kryeziu është shprehur me shaka për “vijën e kuqe” të Rexhepit, duke thënë se nuk di çfarë dioptrie i ka syzet Fatmir Rexhepi. “Natyrisht, unë personalisht jam pajtuar këtu që të kemi një debat tematik për situatën e përgjithshme shoqërore në Kosovë, jo vetëm partiake, por edhe të përgjithshme. Por, dihen procedurat se si thirret Këshilli i Përgjithshëm”, ka thënë Kryeziu.

Burime brenda takimit kanë sqaruar se disa anëtarë kanë kërkuar shkarkimin e Kryesisë së LDK’së si dhe prezencën e Liderit të Partisë, Fatmir Sejdiu. “Duhet ta dini se Presidenti ka disa pengesa kushtetuese për të qenë prezent”, ka sqaruar Nënkryetari i Parë i LDK’së, Eqrem Kryeziu. Ndryshe, në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm është vendosur të formohen grupet punuese për analizimin e zgjedhjeve të fundit dhe për agjendën zgjedhore brenda partiake.

Sipas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm, zgjedhjet në LDK fillojnë më 10 shtator dhe përfundojnë më 30 nëntor të këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›