E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turpi pa kapak

Liria është fituese e Kupës së Kosovës në futboll, pasi të dielën e mposhti Vëllaznimin në finale me rezultat 2:1, pas 120 minutave lojë.

Kjo përballje nuk pati përfundim të mirë, pasi atmosfera e shkëlqyeshme në stadium u prish në minutën e 95-të të takimit kur tifozët gjakovarë filluan të gjuajnë në fushë me çka kishin në duar.

E gjithë kjo skenë ndodhi para syve të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ministrit të sportit, Lutfi Haziri, dhe shumë futbolldashësve që kishin ardhur në stadium për ta përcjellë finalen e Kupës.

Në stadiumin e qytetit të Prishtinës kishin ardhur në mënyrë të organizuar tifozët e Lirisë, Arpaxhikët, dhe ata të Vëllaznimit, Kuqezinjtë, për t’i përkrahur skuadrat e tyre drejt triumfit.

Por, të dyja grupet gjatë gjithë ndeshjes nuk kanë pushuar së fyeri njëri-tjetrin. Dikur tifozëve prizrenas në ndihmë për të anuar u erdhi një grup i vogël i tifozëve prishtinas, me ç’rast Arpaxhikët, në shenjë falënderimi, filluan të brohorasin ‘Prishtina – Plisat’.

Me këtë rast, Kuqezinjtë e Jakovës, që ishin të vendosur në tribunën lindore, filluat t’i heqin disa flamuj bardh e kaltër dhe madje t’i djegin. Gjakovarët nuk u ndalën me kaq. Ata thyen edhe një numër të konsiderueshëm të karrigeve në tribunën lindore, të cilat më pas i hodhën në fushën e blertë.

Me këtë rast, ndeshja u ndërpre për rreth 15 minuta, derisa Policia e Kosovës largoi Kuqezinjtë nga tribuna, vendim ky që organet e rendit e morën pas konsultimit me vëzhguesin e ndeshjes, Afrim Nebihu.

“Ka qenë mënyra e vetme për t’i larguar tifozët nga stadiumi. Vendimin e kam marrë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Ashtu-kështu policia veç kishte vendosur për t’i larguar”, ka thënë Nebihu pas ndeshjes.

Kur gjakovarët po largoheshin nga stadiumi, një përleshje mes tifozëve ka ndodhur në hyrje të tribunës lindore. Me këtë rast, është mësuar se edhe një anëtar i Policisë ka pësuar lëndime trupore.

Më pas, disa të rinj të veshur kuq e zi prej jashtë stadiumit hidhnin gurë në tribunën perëndimore ku ishin të vendosur tifozët prizrenas.

Pas largimit të Kuqezinjve, ndeshja vazhdoi, ndonëse rezultati më pas ishte vetëm në plan të dytë.

Më meritori që Liria mori këtë trofe ishte Alsid Tafili, i cili realizoi dy gola (një në pjesën e dytë dhe një gjatë vazhdimeve), duke anuluar epërsinë e Vëllaznimit, i cili avancoi me golin e Ertan Hasanit, të cilin e realizoi në pjesën e parë.

Në fund, Kupën kapitenit të Lirisë, Fitim Krusha ia dorëzoi presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu. Ky është trofeu i dytë i Lirisë në periudhën e pasluftës, pasi bardhezinjtë këtë trofe e patën fituar edhe në edicionin 2007/08.

Haziri: Do të ketë hetime për incidentin

I gjithë eksesi ngjau para syve të presidentit, Fatmir Sejdiu dhe ministrit të Sportit, Lutfi Haziri. Ky i fundit, prej kur e ka marrë këtë post ka thënë se do të jetë i pamëshirshëm në luftën ndaj hulganizimit në sportin kosovar. Atë qëndrim, Haziri e përsëriti edhe pas kësaj ngjarjeje.

“Unë dhe presidenti kemi pritur vendimin e organeve kompetente, në këtë rast të delegatit të ndeshjes, dhe e kemi mbështetur qëndrimin e tij. Gjakova ka pas një javë të mirë, pasi ia doli ta sigurojë mbijetesën në elitë dhe luajti në finale të Kupës. Hetime do të ketë për incidentin. Policia do ta hetojë rastin me një ekip të veçantë”, ka deklaruar Haziri pas ndeshjes.

Salihi: Shteti duhet të marrë masa ndaj huliganëve

Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, ka thënë se këta huliganë duhet të identifikohen dhe shteti të marrë masa ndaj tyre.

“Sjellja e lojtarëve në fushë është për çdo lëvdatë në stadiumet tona në dy-tri vitet e fundit. Ngadalë ka filluar të shfaqet në formë të huliganizmit kjo dukuri, e cila sot prishi qefin. Këta njerëz janë shkatërrues. Unë sot pash në tribuna edhe të atillë që ishin të pitë, apo ndoshta edhe të droguar. Këta njerëz duhet të identifikohen dhe shteti të marrë masa ndaj tyre”, tha për Express, Salihu.

Në futbollin e pasluftës, huliganizmit në futbollin kosovar ende nuk i është vënë kapaku. Thuajse është e pamundur që një ndeshje futbollit në vendin tonë të kalojë pa incidente. Për këtë fajet i ka edhe Federata, që në raste të tilla jep dënime minimale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›