Trafiku i drogës, tre në pranga
ANTIKRIMI/ Burime të policisë u shprehën se në ditët në vijim pritet të kryhen edhe arrestime të tjera
VLORË – Një operacion i policisë vuri mëngjesin e djeshëm në pranga tre shtetas, të cilët dyshohet se janë pjesë e një rrjeti që trafikonte narkotikë në drejtim të Italisë. Arrestimi i tre shtetasve ishte në vijim të prangosjes së një tjetër shtetasi të shtunën e kaluar, pas bllokimit në Vlorë të një gomoneje me 116 kilogramë lëndë narkotike “cannabis sativa”. Burimet zyrtare u shprehën se në pranga u vunë Aranit Bida, Blerim Beqiraj dhe Avni Dhrami.
Operacioni
Prej disa muajsh, forcat e policisë të Luftës kundër Krimit të Organizuar kishin nisur hetimet për një rrjet që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të shtetit fqinj. Kështu, si rrjedhojë e këtij hetimi, të shtunën u sekuestrua një gomone me 116 kilogramë hashash në të dhe u vu në pranga shtetasi Aleksandër Begu, arrestimi i të cilit u mbajt i fshehtë nga uniformat blu të Vlorës me qëllim mosalarmimin e anëtarëve të tjerë të rrjetit. Ndërkaq, mëngjesin e djeshëm, policia e Tiranës, në bashkëpunim me atë të Vlorës dhe të Fierit prangosi Aranit Bidën, nga Fieri, i dënuar më parë për “vrasje”, Blerim Beqirajn, nga Mallakastra dhe shtetasin Avni Dhrami, lindur dhe banues në Vlorë. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit thanë se ndalimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim “kanë organizuar me qëllime trafikimi nisjen e një mjeti lundrues tip gomone, me një sasi prej 116 kg “kanabis sativa”, në drejtim të Italisë nga Bregu i Gadishullit të Karaburunit. Por, burime të brendshme të policisë konfirmuan se katër të arrestuarit e deritanishëm janë vetëm pjesë e një rrjeti më të gjerë të trafikimit të narkotikëve, rreth 15 persona, banorë në qytete të ndryshme të vendit. Këta shtetas mësohet të jenë identifikuar dhe pritet edhe vënia e tyre në pranga.
Policia
Ndërkaq, policitë e rretheve të ndryshme të vendit vazhdojnë hetimet lidhur me rrjetin që dyshohet se merrej me trafikimin e drogës. Mësohet se në ditët në vijim do të kryhen të tjera arrestime
Somario: Por, burime të brendshme të policisë konfirmuan se katër të arrestuarit e deritanishëm janë vetëm pjesë e një rrjeti më të gjerë të trafikimit të narkotikëve, rreth 15 persona, banorë në qytete të ndryshme të vendit. Këta shtetas mësohet të jenë identifikuar dhe pritet edhe vënia e tyre në pranga.