E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesër zgjedhjet në FSHF, 3 në garë

DURRES- Futbolli shqiptar do të vendosë të martën se cili do të jetë presidenti i ri i Federatës, në garën që vendos përballë tre kandidatë: Armand Dukën, Refik Halilin dhe Rudi Vatën. Në Durrës do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore, nga e cila do të dalë njeriu që do të mbajë postin më të lartë të futbollit shqiptar për 4 vitet e ardhshme si edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Një pjesë e madhe e personave që përfaqësojnë klubet dhe që kanë të drejtë vote në Asamble, janë zhvendosur që të hënën në Durrës, ashtu si e gjithë administrata e FSHF-së. Përsa i përket fushatës, këtë herë ajo ka qenë disi më e qetë, ndonëse akuzat mes palëve nuk kanë munguar. Qëndrimi larg i politikës ka bërë që tre kandidatët të përqendrohen te platformat e tyre dhe tek të metat e kundërshtarit, duke mos e përzier futbollin me fushat e tjera.

Përsa u përket procedurave të votimit, në Asamble votojnë gjithsej 65 delegatë dhe një kandidat, që të shpallet fitues, duhet të marrë 2/3 e votave, pra 44. Në rast se kjo nuk arrihet në raundin e parë, dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në një raund të dytë, ku fitues shpallet ai që merr 50 % + 1 të votave të Asamblesë. Tashmë edhe 12 klubet e Superligës kanë vetëm nga një votë, pas vendimit të Asamblesë së 12 nëntorit 2008. Votat e tjera ndahen në 16 për Kategorinë e Parë, 25 për të dytën, 8 votat e Sektorit Amator, dhe 4 të shoqatave të mjekëve, trajnerëve, arbitrave dhe minifutbollit. Në lidhje me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, një kandidat që të fitojë duhet të marrë 50 % + 1 të votave.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›