E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja shqip më bëri të ndihem i veçantë

Aktori Astrit Alihajdaraj, i cili jeton dhe vepron në Austri, sapo ka përfunduar xhirimet në dy filma shqiptarë të regjisorëve Agim Sopi dhe Ernest Meholli, ndonëse në të njëjtën kohë ka vazhduar punën në projekte tjera jashtë Kosovës. Nga Albana S. Muja më 02 tetor 2011 në ora 18:18

Aktori Astrit Alihajdaraj, që së fundmi është duke u provokuar edhe në artin e penës, thotë që tani pas përfundimit të xhirimeve në disa filma, po kënaqet duke i kaluar disa ditë në Prishtinë, bashkë me kolegët e tij, në ndjekje të programit të pasur të festivalit “Prifilmfest”. Ndërkohë, ai shpalos krijimet e para të tij, prej të cilave është bindur që aktrimi do të jetë profesioni i tij. Punë kjo që po shihet edhe në Kosovë tashmë, duke bërë që Alihajdaraj dhe loja e tij në kinematografinë e huaj të provokojë edhe regjisorët tanë.

Alihajdaraj, së fundmi, ka luajtur në filmin “Agnus Dei” të regjisorit Agim Sopi, në të cilin bart rolin kryesor si dhe në filmin “Gone Back” të regjisorit Ernest Meholli, një film ky holandezo-kosovar, në të cilin po ashtu ka rolin kryesor.

Express sjell punën e aktorit, e cila herë-herë shpalos emocione të veçanta të tij, të cilat e kanë përcjellë gjatë zhvillimit të tij në këtë fushë.

Express: Ju keni studiuar në Vjenë për filmin. Cili është dallimi në mes të kinematografisë sonë dhe asaj ndërkombëtare nga këndi juaj?
Alihajdaraj: Në përgjithësi bota e filmit është e njëjtë kudo që të shkosh. Është një grup njerëzish që e flasin një gjuhë të përbashkët, atë të rrëfimit të një tregimi përmes fotografive. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj sa më konkretisht, dallime ka në eksperiencë. Që të bësh film jo veç se duhet të kesh diçka për të thënë dhe të jesh kreativ, por është edhe një zanat të cilin duhet ta mësosh, të bësh sa më shumë përvojë, eksperimente, që ta gjesh rrugën tënde për të rrëfyer një tregim. Në Kosovë filmi nuk ka pasur mundësi të bëhet traditë. Ai kur ka filluar të zhvillohet nuk ka zgjatur shumë dhe është ndërprerë si pasojë e politikës dhe gjendjes në të cilën ka kaluar Kosova dhe ka pasur një stagnim të gjatë. Pas lufte, shihen përmirësime dhe vërehet që ka shumë njerëz kreativ që kanë shumëçka për të rrëfyer dhe mundohen në forma të ndryshme që ta bëjnë atë, por kinematografia botërore është zhvilluar aq shumë sa që nëse Kosova dëshiron të bëhet pjesë e asaj dhe të konkurroj atje, duhet investim i madh nga të gjitha anët në arsimimin dhe trajnimin e këtyre njerëzve.

Express: Cili konsideroni që ka qenë filmi i cili t’i ka hapur rrugët, qoftë në kinematografinë tonë, qoftë në atë ndërkombëtare?
Alihajdaraj: Pa dyshim, filmi im i parë që e kam luajtur në vitin 1999. Ka qenë filmi “Nordrand”, një film austriak i metrazhit të gjatë i regjisores Barbara Albert, në të cilin kam luajtur një ndër rolet kryesore. Me atë film unë mora pjesë edhe në festivalin e Venedikut në vitin 1999. Në atë kohë ende mendoja a të merrem me këtë profesion apo jo. Por në filmin “Nordrand” u ndjeva shumë mirë dhe u binda përfundimisht qe aktrimi është profesioni im i ardhshëm. Pastaj pas këtij filmi mora oferta për projekte të tjera si për kinema ashtu edhe për filma dhe seriale televizive të ndryshme gjermane e austriake si: ‘Tatort’, ‘Kommisar Rex’, ‘Schnell Ermittelt’, ‘Soko Donau’, ‘Balkan Traffic’, ‘Der Täter’, ‘Die Entscheidung’, ‘Medicopter 117’ etj. Pastaj unë pata mundësi pas përfundimit të shkollës së aktrimit të angazhohem edhe në teatër, ku kam luajtur në shfaqje të ndryshme dhe teatro të ndryshëm në gjithë Austrinë dhe jam ende aktiv.

Express: Së fundmi, keni luajtur në disa filma. Cilët janë ata dhe çfarë rolesh bartni ju?
Alihajdaraj: Tash momentalisht janë gjithsejtë katër projekte filmike që janë në post-produksion. Është filmi i sapoxhiruar “Agnus Dei” i Agim Sopit, në të cilin e luaj rolin kryesor. Pastaj “Gone Back” i regjisorit Ernest Meholli, që është film holandezo-kosovar, po ashtu në këtë film luaj rolin bartës. “The little Gipsy witch” i regjisorit Tomislav Zaja, një film kroato-austriak, pastaj është seriali për televizionin shtetëror austriak ORF “Die Lottosieger”, ku unë prej vitit 2010 jam pjesë e tij.

Express: Çfarë rëndësie ka për ju roli në filmin e fundit të regjisorit Agim Sopi?
Alihajdaraj: Rendësi të veçantë ka që jam kthyer në vendlindje, të punoj dhe t’ju bashkëngjitëm kolegëve të mi në Kosovë, të cilët i kam adhuruar qysh kur isha i vogël. Dhe ky projekt është serioz sepse është i mbështetur nga institucionet e shtetit. Unë kam ardhur në Kosovë disa herë më parë nëpër festivale të ndryshme dhe jam interesuar ta përcjell se si po zhvillohet kinematografia këtu, por me ketë projekt dëshiroja ta përjetoja edhe vet se si punohet në Kosovë

Express: Sinqerisht, kur ndjeheni më mirë, kur luani shqip apo në kinematografinë ndërkombëtare?
Alihajdaraj: Unë, siç e thash më lart, karrierën e kam filluar me filmin “Nordrand”, ku kam luajtur një refugjat boshnjak dhe kam luajtur në gjuhën boshnjake dhe gjermane, pastaj kam pasur projekte të tjera internacionale ku gjithmonë kam luajtur në gjuhë të ndryshme si gjermanisht, anglisht, spanjisht. Kurse hera e parë që kam luajtur në shqip ka qenë filmi “Iliriana” i Ernest Mehollit, ku në atë film kam pasur vetëm disa fjalë në shqip dhe ka qenë moment shumë i veçantë për mua dhe paksa i vështirë sepse ishte diçka shumë personale. Nuk isha mësuar të aktroj në shqip dhe ishte e vështirë që ta ndaj rolin prej personalitetit tim. Ishte moment shumë rrëqethës për mua. Sipas përvojës sime të aktrosh në gjuhë të huaj është krejt ndryshe. Gjuha e huaj të largon pak nga vetvetja dhe krijon njëlloj distance në mes teje dhe personazhit, ku në disa raste është shumë ndihmuese. Ndërsa kur aktron në gjuhë amtare është më shumë afër teje, më personale dhe prekëse, ku ndonjë rol i vështirë, emocional mund edhe të më lejë ndonjë gjurmë.

Express: Regjisori i cili jeton dhe vepron në Holandë, Ernest Meholli, edhe në filmat e mëhershëm por edhe në filmin e fundit bashkëpunon me ju. Cili është çelësi i këtij bashkëpunimi?
Alihajdaraj: Për mua ka qenë fat i madh që e kam takuar Ernest Mehollin dhe që kemi filluar bashkëpunimin. Unë në Austri jam ndier i vetmuar si aktor shqiptar, sepse nuk njihja askënd dhe kur Ernesti me kontaktoi për herë të parë u gëzova shumë por isha pak skeptik deri sa ta lexoj skenarin dhe kur e lexova e pash që ka kolegë shqiptarë diku në botë që kanë potencial të madh për të bërë filma të mirë dhe menjëherë e kam pranuar atë rol. Pastaj ishte puna që na bashkoi edhe më shumë sepse e kishim një mendim sa i përket filmit dhe si bëhet një film. Ajo punë ishte një film i shkurtë me të cilin u ndamë të dytë shumë të kënaqur dhe menjëherë filluam të bisedojmë për projekte të reja bashkë, gjë që u realizua këtë vit me filmin “Gone Back”. Një film me metrazh të gjatë ku më shumë i jemi lidhur bashkëpunimit dhe besoj do të vazhdojë. Nga përvoja ime si aktor që nga viti 1999 me regjisor të ndryshëm internacional, bashkëpunimi me Ernestin, ishte ndër përvojat më të mira që kam pas, si nga ana njerëzore po ashtu edhe nga përgatitja profesionale e tij. Para se gjithash me duhet të shtoj për këmbënguljen e Ernest Mehollit që të kontribuojë shumë për vendlindjen e tij, Kosovën. Për mua kulmi i gjithë këtij bashkëpunimi ishte mënyra se si ai e rrëfen një tregim në film, në një formë shumë të thjeshtë por me shumë domethënie dhe me një precizitet duke shkuar gjithnjë në perfeksion, duke i dhenë tension ngjarjes përmes fotografisë, duke përdorur dialog vetëm ku është i domosdoshëm. Ky stil i tij e benë atë të pazëvendësueshëm dhe e pasuron boten e artit.

Express: Kemi dëgjuar që kohë më parë e keni provuar vetën në një art tjetër, keni pasur rolin e dramaturgut në njërin nga teatrot në Vjenë. Çfarë përvoje ishte kjo për ty?
Alihajdaraj: Bëhet fjalë për “Wiener Wortstaetten”, është një organizatë e autorëve që ndihmojnë autorë të huaj që shkruajnë në gjermanisht. Unë kam marrë disa herë pjesë si aktor në ato shfaqje. Pastaj ata mu drejtuan mua që të shkruaj një dramë për teatër, gjë që e bëra me kënaqësi. Ishte një përvojë nga një tjetër këndvështrim, ai i autorit. Sepse si aktor je pak a shumë i koncentruar vetëm për një personazh. Por në këtë rast ishte përvojë shumë interesante dhe një përgjegjësi e madhe sepse çdo gjë aty buron prej teje. Në të njëjtën kohë është një privilegj i madh, sepse ke mundësinë t’i ndash mendimet tua, se si e sheh ti boten me sytë e tu. Shfaqja quhet “Schatzi” dhe është botuar nga shtëpia botuese “Edition Exil” në Vjenë, është shfaqur në kuadër të festivalit të teatrit “Roter Oktober”në vitin 2009 Vjenë. Kjo shfaqje trajton temën e gurbetçarëve, që janë në kërkim të një identiteti të ri se kush janë dhe ku e kanë vendin në këtë botë. Se shpejti kjo shfaqje do të përkthehet edhe në shqip dhe jam shumë kureshtar se çfarë kritikash do të marrë nga Kosova.

Express: Cilat janë planet tuaja? A keni në dorë ndonjë skenar i cili ka një rol për ty?
Alihajdaraj: Momentalisht jam duke shkruar një skenar filmi të metrazhit të gjatë, për të cilin kam fituar një bursë nga shteti austriak, për të shkruar dhe për t’u trajnuar më shumë në këtë drejtim. Skenari është në një fazë të mirë të zhvillimit dhe shpresoj që së shpejti e përfundoj dhe ta realizoj. Kurse si aktor momentalisht jam duke u bërë gati për një rol të një filmi tjetër austriak të metrazhit të gjatë që është në fazën e pre-produksionit ku unë luaj një ndër rolet kryesore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›